Në kuadër të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, Bashkia Durrës do të organizojë në sheshin Veliera një hapësirë të dedikuar sportive, rekreative dhe argëtuese për qytetarët dhe turistët gjatë periudhës 11 Qershor – 19 Korrik 2026. Në këtë hapësirë, të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të ndjekin transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror, si edhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme argëtuese dhe sociale.
Për këtë qëllim, Bashkia Durrës fton subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitet në fushën e gastronomisë, si dhe subjektet që tregtojnë produkte turistike, artizanale dhe suvenire, të shprehin interesin e tyre për të operuar në këtë hapësirë.
Kriteret kryesore:
Të jenë subjekte të licencuara dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi;
Të disponojnë dokumentacionin e nevojshëm për ushtrimin e aktivitetit tregtar;
Të respektojnë standardet higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore (për subjektet e gastronomisë);
Të jenë të pajisura për ofrimin e shërbimit në ambiente të hapura dhe me fluks të lartë vizitorësh;
Të respektojnë kërkesat për sigurinë, estetikën dhe mirëmbajtjen e hapësirës së caktuar nga Bashkia Durrës.
Aplikimi:
Bizneset e interesuara janë të ftuara të paraqesin kërkesën e tyre për pjesëmarrje, së bashku me dokumentacionin përkatës si dhe një listë të produkteve gastronomike që propozojnë të tregtojnë gjatë aktivitetit (për subjektet e gastronomisë);
një listë ose prezantim të produkteve turistike, artizanale dhe suvenireve që propozojnë të ekspozojnë dhe tregtojnë (për subjektet përkatëse),
pranë Bashkisë Durrës ose në adresën info@durres.gov.al, nga data 3 deri më 8 qershor 2026.
Ju mirëpresim të bëheni pjesë e këtij aktiviteti!