Bashkia Durrës vijon dëgjesat publike për PBA-në 2027–2029 në Njësinë Administrative Ishëm

Bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak organizuan në ambientet e shkollës së re “Rexhep Mezini”, dëgjesën publike me banorët e Njësisë Administrative Ishëm, në kuadër të hartimit të Buxhetit Vjetor dhe Paketës Fiskale 2027, si dhe të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029, me fokus në pesë programe kryesore:

Infrastruktura Rrugore dhe Investimet Publike

Shërbimet Sociale

Investimet në Arsimin Parashkollor dhe Parauniversitar

Paketa Fiskale

Programi mbi zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile

Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, e cila theksoi se dëgjesat publike përbëjnë një proces të drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, për të njohur sfidat, problematikat dhe nevojat e tyre, si dhe për t’i reflektuar ato në planifikimin e buxhetit për tre vitet e ardhshme. Ajo shprehu kwnaqwsinw që shkolla e re “Rexhep Mezini”, ku u zhvillua kjo dwgjesw, wshtw një investim që ofron kushte bashkëkohore dhe standarde evropiane pwr nxwnwsit dhe stafin pedagogjik.

Kryebashkiakja Sako vuri në dukje se Bashkia e Durrësit ka realizuar investime të rëndësishme në territorin e Ishmit dhe do të vijojë me ndërhyrje të tjera, në përputhje me prioritetet e komunitetit. Gjatë takimit u prezantuan programet për infrastrukturën rrugore dhe investimet publike, shërbimet sociale, arsimin parashkollor dhe parauniversitar, si dhe programi mbi zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile.

Në fushën e infrastrukturës u paraqitën investimet e realizuara dhe ato në proces në Njësinë Administrative Ishëm, përfshirë Rrugët “Fiku i Lerës” dhe “Kuratën i Vogël”, infrastrukturën publike për zonën e njësive individuale të banimit dhe godinën e Njësisë Administrative Ishëm. U prezantua gjithashtu ndërhyrja në rrugët kryesore që lidhin zonën e Ishmit, në segmentet ku ka pasur rrëshqitje dheu, me zbatim gjatë vitit 2026 dhe financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH).

Pjesë e prezantimit ishin edhe rrugët e miratuara në buxhetin e vitit 2026: rruga Berberë–Kullas, me gjatësi 1 700 metra; rruga Dani, 700 metra; rruga Karep, 360 metra; rruga Tarini, 770 metra; dhe rruga “Teqeja e Dedës”, 100 metra.

Për arsimin u paraqit rrjeti i institucioneve arsimore në Ishëm, i cili përfshin pesë kopshte me 95 fëmijë, tri shkolla 9-vjeçare me 352 nxënës dhe shkollën e mesme “Rexhep Mezini” me 51 nxënës. U evidentuan investimet në institucionet “Rexhep Mezini”, “Pren Simoni”, “Filizat e Vegjël”, “Xhelal Shtufi” dhe “Vat Bushi”, si dhe prioritetet për mirëmbajtjen, kushtet higjieno-sanitare dhe sigurinë në godinat arsimore. Në vijim u trajtuan shërbimet sociale për individët dhe familjet në nevojë, si dhe strehimi social.

Programi mbi zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile u përqendrua te informimi dhe mbështetja e fermerëve, fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale, menaxhimi i ekonomive pyjore Kodër-Rekë, Kuratën dhe Rrotull, përcaktimi i zonave të gjuetisë, pyllëzimi i zonave të degraduara e të djegura, regjistrimi i pasurive pyjore dhe kullosore, si dhe prioritetet për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile.

Banorët dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit paraqitën shqetësimet, nevojat dhe propozimet e tyre për investimet dhe shërbimet vendore. Sugjerimet e mbledhura do të dokumentohen dhe shqyrtohen gjatë procesit të hartimit të Buxhetit 2027 dhe PBA-së 2027–2029.