Kur teknologjia shpëton jetë: Durrësi teston gatishmërinë për përmbytje përmes një simulimi të emergjencave civile

Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që, përmes teknologjisë e vullnetarizimit, pjese e programit Instant Network të Vodafone Foundation, mundëson rikthimin e komunikimeve në situata emergjencash civile.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, Bashkia Durrës organizoi një ushtrim simulues në shkallë të gjerë, të titulluar “Menaxhimi i një Përmbytjeje të Madhe në Bashkinë Durrës”, me qëllim testimin e gatishmërisë institucionale, koordinimit ndërmjet strukturave përgjegjëse dhe kapaciteteve të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.

Aktiviteti bëri bashkë institucione qendrore dhe vendore, struktura operacionale, organizata ndërkombëtare dhe lokale, partnerë të sektorit privat dhe vullnetarë, duke krijuar një skenar realist të menaxhimit të një emergjence civile. Një nga elementet më të rëndësishme të këtij ushtrimi ishte përfshirja e teknologjisë dhe vullnetarizmit, si pjese e programit Instant Network të Vodafone Foundation, e cila mundëson rikthimin e komunikimeve celulare në zonat e prekura nga fatkeqësitë, në rastet kur infrastruktura tradicionale e telekomunikacionit është dëmtuar ose ka dalë jashtë funksionit. Përmes këtij kapaciteti, Shqipëria shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e gatishmërisë teknologjike për përballimin e emergjencave civile, duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që përfshin këtë zgjidhje në mbështetje të komunikimeve gjatë situatave të krizës.

Ushtrimi simuloi një skenar përmbytjesh të mëdha në territorin e Bashkisë Durrës, duke vënë në provë të gjithë zinxhirin e menaxhimit të emergjencave: nga paralajmërimi i hershëm dhe aktivizimi i institucioneve, te shkëmbimi i informacionit, koordinimi ndërinstitucional, mobilizimi i burimeve dhe ndërhyrja në terren. Pjesëmarrësit vepruan sipas roleve dhe përgjegjësive të tyre reale, duke simuluar vendimmarrjen në kushte presioni, evakuimin e familjeve, mbrojtjen e grupeve vulnerabël, si dhe menaxhimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike, furnizimit me ujë dhe shërbimeve të komunikimit.

Aktiviteti u drejtua dhe koordinua nga Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim (GIZ) në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Bashkia Durrës, në partneritet me Fondacionin Vodafone në Shqipëri dhe Kryqin e Kuq Shqiptar.

“Kur donatorët bashkojnë forcat në kuadër të një programi të përbashkët, përcjellin një mesazh të qartë: bashkëpunimi dhe koordinimi sjellin rezultate më të qëndrueshme. Në vend të shumë projekteve të fragmentuara, secili me objektivat dhe qasjen e vet, krijohet një sistem i integruar dhe koherent i paralajmërimit të hershëm, i harmonizuar me prioritetet kombëtare dhe standardet ndërkombëtare. Kjo qasje jo vetëm që kontribuon në forcimin afatgjatë të institucioneve, por siguron edhe një platformë të përbashkët për partnerët shqiptarë, duke shmangur mbivendosjen e përpjekjeve dhe fragmentimin e burimeve.”- u shpreh Jule Petra Schulz Drejtoreshë e GIZ në Shqipëri.

Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi deklaroi se bashkia e Durrësit është e angazhuar të investojë në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes civile, për të investuar në parandalim dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme që i shërbejnë interesit publik:

“Çdo nismë që forcon komunikimin ndërinstitucional, zhvillon kapacitetet profesionale dhe nxit përfshirjen e komunitetit është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve tanë. Durrësi është një qytet që e ka provuar në praktikë rëndësinë e solidaritetit dhe të veprimit të përbashkët. Kemi mësuar se përballë çdo sfide, forca jonë më e madhe mbetet aftësia për të punuar së bashku, për të ndarë përgjegjësi dhe për të ndërtuar mekanizma gjithnjë e më efektivë për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së qytetarëve. Si Bashki, mbetemi të angazhuar të investojë në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes civile, për të investuar në parandalim dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme që i shërbejnë interesit publik. Sepse siguria nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve; ajo është një mision i përbashkët që na bashkon të gjithëve.”

Drejtori i Përgjitshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako u shpreh se vetëm përmes bashkëpunimit të të gjithë aktorëve ndërtojmë sisteme dhe komunitete më të sigurta.

“Tërmetet, përmbytjet dhe zjarret na kujtojnë se siguria kërkon punë të vazhdueshme. Njohja e rrezikut, masat parandaluese dhe përgatitja për të vepruar në kohë mund të shpëtojnë jetë dhe të zvogëlojnë dëmet. Ushtrime të tilla janë një mundësi konkrete për ta kthyer informacionin në aftësi praktike dhe ndërgjegjësimin në veprim. Bashkitë, strukturat operacionale, vullnetarët, dhe organizatat e shoqërisë civile kanë secili një rol të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së komuniteteve. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përgatitjes së përbashkët mund të ndërtojmë një sistem më të fortë të mbrojtjes civile dhe komunitete më të sigurta”, – u shpreh Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Një moment i rëndësishëm i ushtrimit ishte demonstrimi i teknologjisë Instant Network të Fondacionit Vodafone në Shqipëri. Përmes lidhjes satelitore, ekipi i vullnetarëve mundësoi komunikimin mes strukturave operacionale dhe aksesin në internet në zonën e simuluar të përmbytjes, duke dëshmuar rëndësinë e komunikimit të pandërprerë në situata emergjente.

“Përmes programit Global Instant Network, ne bashkëpunojmë me institucionet shtetërore, strukturat e reagimit dhe komunitetet lokale për të forcuar gatishmërinë, për të zhvilluar kapacitetet vendore dhe për të garantuar rikthimin e shpejtë të komunikimeve në momentet kur ato nevojiten më shumë. Krijimi i qendrës Instant Network në Shqipëri dhe partneriteti me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të zgjidhjeve të qëndrueshme të komunikimit në sistemin kombëtar të reagimit ndaj emergjencave. Kjo do t’u mundësojë komuniteteve të reagojnë më shpejt, të rikuperohen më lehtë dhe të jenë më të përgatitura për krizat e së ardhmes.” – u shpreh Lisa Felton, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Vodafone & Drejtuese për Biznesin e Qëndrueshëm dhe të Drejtat e Njeriut në Vodafone.

Ushtrimi shërbeu për të testuar kapacitetet e reagimit, për të identifikuar nevojat për përmirësim dhe për të forcuar koordinimin ndërinstitucional në menaxhimin e emergjencave civile.

Në kuadër të aktivitetit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Fondacioni Vodafone në Shqipëri nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi për forcimin e reagimit ndaj emergjencave përmes teknologjisë dhe rrjetit global të vullnetarëve të Instant Network.