Takimi u zhvillua në kuadër të hartimit të buxhetit vjetor dhe paketës fiskale 2027, si dhe të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, e cila pasi falënderoi pjesëmarrësit vuri në dukje se dëgjesat publike janë një hapësirë e drejtpërdrejtë konsultimi dhe llogaridhënieje dhe pjesa kryesore e takimit do t’i kushtohej dëgjimit të banorëve.
Gjatë takimit u prezantuan pesë programet kryesore që lidhen me:
• Infrastruktura Rrugore dhe Investimet Publike
• Shërbimet Sociale
• Investimet në Arsimin Parashkollor dhe Parauniversitar
• Paketa Fiskale
• Programi mbi zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile
Në fushën e infrastrukturës u paraqitën projektet e përfunduara dhe ato në proces, përfshirë:
• Ngritjen e qendrës për trajtimin e kafshëve të rrugës, ndërtimin e linjës së furnizimit me ujë dhe energji për këtë qendër,
• Pastrimin e kanaleve kulluese,
• Ndërtimin e fushës së futbollit
• Rikonstruksionin e godinës së Njësisë Administrative Katund i Ri.
• Ndërhyrjet në rrugët “Mirdita–Tërbuni”, “Përberg”, “Malësia”, “Konika” dhe rrugën pranë ambulancës së fshatit Erzen,
• Rikonstruksioni i rrugëve “Vath Turja” dhe “Rinia”,
• Qendra shëndetësore e Katundit të Ri
• Investime të tjera rrugore të aplikuara pranë FSHZH-së.
Për arsimin u paraqit rrjeti i institucioneve arsimore, i cili përfshin shtatë kopshte me 224 fëmijë, gjashtë shkolla 9-vjeçare me 753 nxënës dhe shkollën e bashkuar “Jusuf Hoti” me 186 nxënës. U evidentuan investimet në shkollat “Bishtkamëz”, “Bajram Gashi”, “Fshat Rinia”, “Artan Zeka”, “Jusuf Hoti” dhe “Sukth-Katund”. Prioritetet për periudhën 2027–2029 përfshijnë:
• Ndërtimin e ri të shkollës “Bishtkamëz”,
• Rikonstruksionin e shkollës “Jubë”,
• Ndërtimin e terrenit të mbyllur sportiv në shkollën “Bajram Gashi”,
• Mirëmbajtjen e godinave, sigurinë, kushtet higjieno-sanitare dhe përmirësimin e mjeteve didaktike.
Në lidhje me mbështetjen e bashkisë me të rinjtë u prezantuan pajisja me Kartën e Studentit e të gjithë studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Skema e Granteve për të Rinjtë, e cila synon t’u krijojë të rinjve më shumë mundësi dhe akses në hapësira komunitare. Në fushën e kulturës u përmend edhe aktiviteti “Festa e Fshatit, Traditë, Shije dhe Takim Brezash”, i organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë, me fokus promovimin e traditës, pjesëmarrjen e komunitetit, trashëgiminë dhe mbështetjen e grupeve artistike
Në vijim u trajtuan shërbimet sociale për individët dhe familjet në nevojë, strehimi social dhe shërbimet e ofruara nga qendrat komunitare. Prezantimi i Paketës Fiskale 2027 përfshiu taksat dhe tarifat vendore, lehtësitë për kategoritë përfituese, administrimin e detyrimeve dhe propozimet për vitin e ardhshëm.
Programi për zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile u përqendrua te:
• Informimi dhe mbështetja e fermerëve,
• Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale,
• Hartimi i planit të mbarështimit për ekonominë pyjore Shijak–Maminas,
• Përcaktimi i zonave të gjuetisë dhe regjistrimi i pasurive pyjore e kullosore,
• Prioritetet për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile.
Në dëgjesë morën pjesë banorë të Njësisë Administrative Katund i Ri, përfaqësues të administratës së njësisë, të institucioneve arsimore, të grupeve të interesit, të shërbimeve publike dhe organizatave jofitimprurëse, si dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Pjesëmarrësit paraqitën shqetësimet, nevojat dhe propozimet e tyre. Sugjerimet e mbledhura do të dokumentohen dhe shqyrtohen gjatë hartimit të buxhetit 2027 dhe PBA-së 2027–2029.