Bashkia Durrës vijon dëgjesat publike për PBA-në 2027–2029 në Njësinë Administrative Rrashbull

Bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak organizuan dëgjesën publike me banorët dhe grupet e interesit të Njësisë Administrative Rrashbull. Takimi u zhvillua në kuadër të hartimit të buxhetit vjetor dhe Paketës Fiskale 2027, si dhe të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, që e cilësoi dëgjesën në Rrashbull si një mundësi për të vlerësuar rezultatet e investimeve në këtë njësi dhe për të përcaktuar ndërhyrjet që duhet të marrin përparësi në vijim. Duke iu referuar nevojave të territorit, kryebashkiakja Sako e vuri theksin tek lidhjet rrugore ndërmjet zonave, funksionimi i kanaleve kulluese, kushtet në institucionet arsimore dhe cilësia e shërbimeve publike. Ajo i ftoi banorët të paraqesin problematikat dhe propozimet e tyre konkrete, në mënyrë që buxheti 2027 dhe PBA-ja 2027–2029 të pasqyrojnë sa më drejt prioritetet e Rrashbullit.
Diskutimi u përqendrua në pesë programet që lidhen me infrastrukturën dhe investimet publike, arsimin parashkollor dhe parauniversitar, shërbimet sociale, Paketën Fiskale 2027, si dhe zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile.
Në fushën e infrastrukturës u trajtuan investimet e përfunduara dhe ato në proces, përfshirë:
Ndërtimin e fushës multidisiplinore në Xhafzotaj,
Përmirësimin e infrastrukturës së varrezave në Rrashbull
Terrenin sportiv në Shënavlash, punimet për të cilin parashikohet të nisin gjatë muajit tetor.
Projektet rrugore të aplikuara pranë FSHZH-së:
Rruga “Shkolla Rrashbull–Kodra” 1 393 m,
Rruga “Shkolla Arapaj” 1 044 m,
Rruga “Abdyl Frashëri” 210 m,
Rruga “Drita” 828 m dhe
Rruga “Shemhill” 1 104 m, me gjatësi të përgjithshme 4 579 m.

Rrugët e miratuara në buxhetin e vitit 2026:
Rruga e Kaçmoleve 470 m,
Rruga e Teqes 600 m,
Rruga “Sulejman Pitarka” 500 m,
Rruga Rrashbull–Shënavlash 400 m,
Rruga “Gjonaj” 300 m dhe
Rruga “Luci Miloti” 300 m, me gjatësi të përgjithshme 2 570 m.

Pjesë e diskutimit ishin edhe pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese në territorin e njësisë.
Për arsimin u pasqyrua rrjeti i institucioneve arsimore të Rrashbullit, i cili përfshin gjashtë kopshte me 263 fëmijë, pesë shkolla 9-vjeçare me 1 314 nxënës dhe shkollën e bashkuar “Besnik Hidri” me 398 nxënës. U evidentuan investimet në shkollat “Vëllezërit Haradinaj”, “Shefqet Ndroqi”, “Myslim Hidaj”, “Besnik Hidri” dhe “Bilal Golemi”. Për periudhën 2027–2029, prioritet mbetet rikonstruksioni dhe shtesa në shkollën “Hamza Muça”, mirëmbajtja e institucioneve arsimore, përmirësimi i mjeteve didaktike dhe garantimi i kushteve të sigurisë e higjienës.
Në fushën sociale u trajtuan shërbimet për individët dhe familjet në nevojë, strehimi social dhe puna e Qendrës Komunitare Multifunksionale Rrashbull, e cila mbështet familjet dhe personat e rikthyer nga emigracioni përmes këshillimit, aftësimit për punë, mbështetjes për fëmijët dhe programeve të fuqizimit ekonomik. Programi për zhvillimin rural përfshin mbështetjen e fermerëve dhe grave në zonat rurale, hartimin e planeve për ekonominë pyjore Shijak–Maminas, pyllëzimin e zonave të degraduara, përcaktimin e zonave të gjuetisë dhe regjistrimin e pasurive pyjore e kullosore. U trajtuan gjithashtu prioritetet e mbrojtjes civile dhe çështjet kryesore të Paketës Fiskale 2027.
Në takim morën pjesë banorë të Njësisë Administrative Rrashbull, deputeti i Qarkut Durrës, drejtues dhe përfaqësues të strukturave të Bashkisë, përfaqësues të administratës së njësisë, institucioneve arsimore, grupeve të interesit dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Diskutimi vijoi me shqetësimet dhe propozimet e banorëve, të cilat do të dokumentohen dhe shqyrtohen në procesin e hartimit të buxhetit 2027 dhe PBA-së 2027–2029.