Bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak organizuan në Njësinë Administrative Sukth, dëgjesën publike me banorët dhe grupet e interesit, në kuadër të hartimit të buxhetit vjetor dhe paketës fiskale 2027, si dhe të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, e cila theksoi se dëgjesat publike, të zhvilluara në çdo njësi administrative, janë një hapësirë e hapur diskutimi dhe llogaridhënieje, ku qytetarët ftohen të paraqesin shqetësimet, të vlerësojnë angazhimet e realizuara dhe të evidentojnë nevojat e komunitetit.
Gjatë takimit u prezantuan pesë programet kryesore që lidhen me infrastrukturën rrugore dhe investimet publike, shërbimet sociale, arsimin parashkollor dhe parauniversitar, Paketën Fiskale 2027, si dhe zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile.
Në fushën e infrastrukturës u paraqitën projektet e realizuara, ato në proces dhe ndërhyrjet e planifikuara për Sukthin. Ndër investimet kryesore u evidentuan ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në Rrushkull, shkolla 9-vjeçare “Vadardhë”, qendrat shëndetësore në Vadardhë dhe Sukth, ndriçimi rrugor në Vadardhë, si dhe projektet për rrugën e fshatit Kullë dhe rrugën “Paqja”. Për vitin 2027 është parashikuar gjithashtu ndërtimi i një terreni sportiv.
Për arsimin u paraqit rrjeti i institucioneve arsimore të Sukthit, i cili përfshin gjashtë kopshte me 417 fëmijë, shkollat e arsimit bazë dhe dy shkolla të mesme. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Arsimit, rreth 90% e godinave arsimore në këtë njësi janë rindërtuar ose rikonstruktuar. U evidentuan investimet në shkollat “Njazi Mastori”, “Vadardhë”, “Hamallaj”, “CU Perlat”, gjimnazin “Dhosi Liperi” dhe shkollën “Ismet Nanushi”, si dhe prioritetet për rikonstruksionin e shkollës “Pal Zefi”, përmirësimin e çatisë dhe sistemit të ngrohjes në shkollën “Njazi Mastori”, mirëmbajtjen, sigurinë dhe kushtet higjieno-sanitare.
Në vijim u trajtuan shërbimet sociale për individët dhe familjet në nevojë, strehimi social dhe shërbimet e ofruara nga qendrat komunitare, përfshirë Qendrën e Shërbimeve me Bazë Komunitare në Sukth. Prezantimi i Paketës Fiskale 2027 përfshiu taksat dhe tarifat vendore, kategoritë përfituese nga lehtësitë, administrimin e detyrimeve, si dhe propozimet për vitin e ardhshëm.
Programi për zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile u përqendrua te informimi dhe mbështetja e fermerëve, fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale, hartimi i planit të mbarështimit për ekonominë pyjore të Rrushkullit, përcaktimi i zonave të gjuetisë dhe regjistrimi i pasurive pyjore e kullosore, si dhe te prioritetet për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile.
Në dëgjesë morën pjesë banorë të Njësisë Administrative Sukth, përfaqësues të administratës së njësisë, të institucioneve arsimore, të grupeve të interesit, të shërbimeve publike dhe organizatave jofitimprurëse, si dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Pjesëmarrësit paraqitën shqetësimet, nevojat dhe propozimet e tyre. Sugjerimet e mbledhura do të dokumentohen dhe shqyrtohen gjatë hartimit të buxhetit 2027 dhe PBA-së 2027–2029.