Bashkia Durrës zhvilloi dëgjesën publike me banorët e Njësisë Administrative nr. 3, në kuadër të hartimit të Buxhetit të vitit 2027 dhe Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029. Takimi u drejtua nga nënkryetari i Bashkisë Durrës, z. Elio Jani, ku merrnin pjesë përfaqësues të programeve buxhetore, qytetarë dhe grupe interesi të zonës.
Nënkryetari Jani vlerësoi dëgjesën si një hapësirë konkrete dialogu dhe llogaridhënieje, ku qytetarët mund të parashtrojnë problematikat dhe nevojat e zonës. Ai theksoi se propozimet e paraqitura do të dokumentohen dhe do të shqyrtohen gjatë procesit të prioritizimit të investimeve dhe shërbimeve për vitin 2027 dhe periudhën afatmesme.
Për Njësinë Administrative nr. 3 u paraqitën ndërhyrjet e realizuara, ato në proces dhe projektet e planifikuara, me fokus përmirësimin e infrastrukturës arsimore, banesave kolektive dhe akseve rrugore:
- Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, tashmë i përfunduar;
- Rikonstruksioni i fasadave të pallateve në Njësinë Administrative nr. 3;
- Rindërtimi i godinës nr. 32 “Fakle”, në rrugën “Teodor Rupi”, aktualisht në proces;
- Rikonstruksioni i rrugës “Aleksandër Goga”;
- Rikonstruksioni i rrugës “Kasem Durrësi”.
Në territorin e Njësisë Administrative nr. 3 funksionojnë një çerdhe me 177 fëmijë, pesë kopshte me 351 fëmijë, katër shkolla 9-vjeçare me 3 317 nxënës, dy shkolla të mesme me 1 705 nxënës, Shkolla e Mesme Teknologjike me 870 nxënës, Shkolla e Mesme Sportive “Bernardina Qerraxhi” me 210 nxënës dhe konvikti i saj me 52 nxënës.
Ndër investimet kryesore të prezantuara u evidentuan: - Ndërtimi i shkollave të reja “Marie Kaçulini”, “Qemal Mici”, “Naim Frashëri” dhe kompleksin e Shkollës së Mesme Sportive “Bernardina Qerraxhi” me konvikt;
- Rikonstruksioni i kopshtit “Parafabrikat”, shkollave “Leonik Tomeo” dhe “Hysen Çela”, si dhe i Çerdhes nr. 2;
- Rikonstruksioni dhe ndërtimi i palestrës së shkollës “14 Nëntori”;
- Rikonstruksioni i shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, i përfunduar në janar 2026;
- Parashikimi në PBA 2027–2029 i ndërhyrjes në godinën e shkollës së mesme “Qemal Mici”.
Programi i shërbimeve sociale u përqendrua te mbështetja e individëve dhe familjeve në nevojë. U prezantua rrjeti prej nëntë qendrash sociale të administruara nga Bashkia Durrës, të cilat ofrojnë shërbime për fëmijët dhe familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje dhe grupe të tjera vulnerabël. Prioritet mbeten zgjerimi i shërbimeve me bazë komunitare, mbështetja psikosociale, ndërhyrja emergjente, strehimi social dhe fuqizimi për integrim ekonomik e shoqëror.
Në prezantimin e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore për Paketën Fiskale 2027 u paraqit propozimi që tarifimi proporcional për subjektet që kërkojnë pezullimin ose çregjistrimin e aktivitetit të lidhet me datën konkrete të aplikimit. Prioritete të vitit 2027 do të jenë përditësimi i bazës së të dhënave, ndjekja sistematike e arkëtimeve dhe ndërlidhja e shërbimeve me portalin e-Albania.
Në përfundim të prezantimeve, fjala iu kalua banorëve, të cilët paraqitën kërkesa dhe sugjerime për nevojat e zonës. Të gjitha çështjet e ngritura u evidentuan për t’u shqyrtuar nga strukturat përgjegjëse dhe për t’u vlerësuar në përputhje me prioritetet e komunitetit dhe mundësitë financiare të Bashkisë Durrës.