Bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak organizuan dëgjesën publike me banorët dhe grupet e interesit të Njësisë Administrative nr. 6. Takimi u zhvillua në kuadër të hartimit të buxhetit vjetor dhe Paketës Fiskale 2027, si dhe të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako, prezantoi punët e realizuara, ndërhyrjet në proces dhe prioritetet e planifikuara për këtë pjesë të qytetit. Ajo u ndal te nevojat e Durrësit të Ri, Spitallës dhe zonave përreth, veçanërisht te infrastruktura rrugore, kullimi i ujërave, arsimi dhe shërbimet sociale. Kryebashkiakja Sako bëri të ditur se Bashkia Durrës po vlerëson hapësirat publike që mund të vihet në shërbim të komunitetit për ndërtimin e terreneve sportive, këndeve të lojërave për fëmijët dhe mjediseve çlodhëse për të moshuarit. Ajo i ftoi qytetarët të paraqesin problematikat dhe propozimet e tyre konkrete, në mënyrë që prioritetet e zonës të pasqyrohen në buxhetin 2027 dhe në PBA-në 2027–2029.
Një tjetër çështje e trajtuar nga kryebashkiakja Sako ishte reforma administrativo-territoriale. Ajo u ndal te përvoja e deritanishme e zbatimit të reformës dhe te nevoja që problematikat e evidentuara në territor, si dhe ndarja e kompetencave ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror, të pasqyrohen në diskutimet për përmirësimin e saj.
Gjatë takimit, Kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako, paraqiti pesë programet që lidhen me infrastrukturën dhe investimet publike, arsimin parashkollor dhe parauniversitar, shërbimet sociale, Paketën Fiskale 2027, si dhe zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile.
Në fushën e infrastrukturës, u evidentua rehabilitimi në proces i rrugëve dytësore në zonën e Durrësit të Ri. Për Spitallën janë aplikuar dy projekte rrugore për përmirësimin e shtresave, ndërsa vijon pastrimi i kanaleve të ujërave të bardha. Këto ndërhyrje synojnë reduktimin e problematikave të shkaktuara nga grumbullimi i ujërave gjatë reshjeve.
Krybashkiakja Sako informoi të pranishmit edhe për projektin madhor të Qeverisë Shqiptare për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve dhe modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës. Projekti zbatohet përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në koordinim me strukturat vendore të ujësjellës-kanalizimeve, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD). Investimi, me vlerë rreth 118 milionë euro, parashikon në fazën e parë rehabilitimin e rrjetit në zonën e Durrësit të Ri dhe modernizimin e impiantit të trajtimit, ndërsa programi përfshin edhe ndërhyrje në Spitallë, Porto Romano dhe Shkozet. Projekti synon t’u japë zgjidhje të qëndrueshme problematikave të kanalizimeve dhe ujërave të ndotura.
Për arsimin, u paraqit rrjeti i institucioneve të zonës, i cili përfshin çerdhen nr. 5 “Durrësi i Ri” me 35 fëmijë, kopshtin “Durrësi i Ri” me 107 fëmijë, shkollën 9-vjeçare “E Re” në Kënetë me 719 nxënës dhe gjimnazin “Dom Nikoll Kaçorri”. U evidentuan ndërtimi i çerdhes dhe kopshtit, ndërhyrjet në sistemin e ngrohjes dhe atë elektrik, si dhe ndërtimi i terrenit multidisiplinor të mbuluar në shkollën “E Re”. Gjimnazi “Dom Nikoll Kaçorri” iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë, të përfunduar në vitin 2025. Prioritetet për periudhën 2027–2029 përfshijnë rikonstruksionin e katit të tretë dhe palestrës së shkollës “E Re”, mirëmbajtjen e institucioneve arsimore, sigurinë, kushtet higjieno-sanitare dhe përmirësimin e mjeteve didaktike.
Në fushën sociale, u trajtuan shërbimet për individët dhe familjet në nevojë, strehimi social dhe puna e Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla. Qendra ofron këshillim psikologjik, mbështetje psikosociale, menaxhim të rasteve në nevojë, shërbime për fëmijët parashkollorë, mbështetje për punësim dhe veprimtari komunitare. Për vitin 2026, nga shërbimet e saj përfitojnë rreth 400 persona.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes civile dhe parandalimit të përmbytjeve. Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë përmbytjeve të janarit 2025, në këtë zonë u prekën 295 familje, rreth 68% e rasteve të evidentuara në të gjithë territorin e Bashkisë. Për këtë arsye, ndërhyrjet parandaluese në zonat ku problematikat përsëriten, përmirësimi i kullimit dhe mbështetja e familjeve të prekura mbeten pjesë e prioriteteve për planifikimin buxhetor.
Në dëgjesë morën pjesë banorë të Njësisë Administrative nr. 6, përfaqësues të administratës vendore, institucioneve arsimore, grupeve të interesit dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Diskutimi vijoi me shqetësimet dhe propozimet e qytetarëve, të cilat do të dokumentohen dhe shqyrtohen gjatë hartimit të buxhetit 2027 dhe PBA-së 2027–2029.