Dokumentacioni që duhet të dorëzohet për të përfituar nga një nga Pogramet Sociale të Strehimit, Bashkia Durrës
Dokumentacioni që duhet të dorëzohet për të përfituar nga një nga Pogramet Sociale të Strehimit, Bashkia Durrës, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton si më poshtë vijon:
a) Për të dhënat personale të aplikantit:
i. çertifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile;
ii. vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës (ish zyra Vendore e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme Durrës) për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes;
ii. vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës (ish zyra Vendore e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme Durrës) për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
iii. vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës (ish zyra Vendore e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme Durrës) se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
iv. vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës që aplikanti apo çdo pjestar tjetër i familjes në moshë madhore nuk ka aplikuar për legalizim banese.(origjinale)
v. aktverifikim nga njësia vendore për:
a. banesat në rrezik shembjeje;
b. rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
c. banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
vi. vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
vii. akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
c) Për vërtetimin e kushteve familjare, sipas shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i) çertifikatë familjare;
ii) vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
ç) Për vërtetimin e kushteve sociale, sipas shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
ii. vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
iii. dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
iv. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
v. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
vi. urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
vii. vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
viii. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
ix. vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
x. vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike, sipas shkronjës “ç”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
ii. dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
iii. vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
iv. vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
v. vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.