Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Adrian Gurra, përfaqësues të komuniteteve fetare përfaqësues të organizatës së veteranëve dhe qytetarë. Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako. Kryebashkiakja Sako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit:
“Kjo datë shënon një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së qytetit tonë. Para 114 vitesh, kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, ngriti flamurin shqiptar më 26 nëntor 1912. Ky akt solemn përfaqëson kujtesën e vlerave më të çmuara kombëtare dhe sakrificat e panumërta që janë bërë për këtë vend. Një akt që ne e nderojmë përherë me krenari. Durrësi është qyteti që priti Ismail Qemalin dhe atdhetarët që e shoqëronin, në udhëtimin e tyre historik drejt përmbushjes së misionit të shenjtë: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Me ngritjen e flamurit në Durrës, nisi rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar.
Me mirënjohje e nderim, kujtojmë figurat e shquara durrsake që kontribuan me përkushtim atdhetar: kryetarin e parë të bashkisë Hafiz Ali Podgorica, ata patriotë që siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit të kryesuar nga Kasem Durrësi, përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Vlorës: Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha, Abaz ÇelKupa, si dhe patriotët Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan dhe Marie Kaçulini, e shumë atdhetarë të tjerë që lanë gjurmë të pashlyeshme në këtë moment historik.
Të dashur bashkëqytetarë, 26 Nëntori mbart edhe një kujtesë tjetër, të dhimbshme e që nuk do të harrohet kurrë. Shtatë vjet më parë, Durrësi u përball me një nga fatkeqësitë më të rënda në historinë e tij moderne. Megjithatë forca, solidariteti dhe puna e jashtëzakonshme e njerëzve tanë bënë të mundur kapërcimin e asaj sfide të vështirë. Sot përulemi me respekt dhe nderim para kujtimit të bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën në tërmetin tragjik të 26 nëntorit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që qëndruan pranë Durrësit në ditët më të vështira.
Të nderuar të pranishëm, Kjo ditë na fton jo vetëm të kujtojmë të shkuarën, por edhe të shohim me besim drejt së ardhmes. Kombi shqiptar po konsolidon vit pas viti rolin e tij si faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon, Vendi ynë është i përqendruar fort në objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian. Sot Shqipëria është fare pranë realizimit të këtij synimi, që është rruga më e sigurt dhe më e mirë për të ardhmen e vendit. Le të na shërbejë kjo ditë si frymëzim për të ecur përpara me besim dhe përkushtim, duke nderuar të kaluarën tonë dhe duke punuar çdo ditë për të ardhmen që duam të ndërtojmë së bashku. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë! Gëzuar të gjithëve Festën e Madhe të Shpalljes së Pavarësisë!”