Bashkia hap thirrjen për të rinjtë, duke i ftuar të paraqesin idetë e tyre më inovative për zgjidhje lokale që kontribuojnë në përmbushjen e objektivave mjedisorë të qytetit.
Projektet fituese do të përfitojnë mbështetje financiare (mikro-grante) të dedikuar për të realizuar propozimet e tyre, duke hartuar dhe zbatuar nisma që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka bërë me dije se Bashkia e Durrësit është ndër 300 bashkitë e përzgjedhura rishtazi për t’u bërë pjesë e Fondit të Bloomberg Philanthropies për Veprimin Klimatik të të Rinjve (Youth Climate Action Fund), duke u bërë thirrje të rinjve të qytetit që të angazhohen në këtë nismë.
Fondi për Veprimin Klimatik të të Rinjve ofron financim dhe mbështetje për ngritjen e kapaciteteve, me qëllim që bashkitë të mobilizojnë të rinjtë e moshës 15–24 vjeç për të hartuar dhe zbatuar zgjidhje në përputhje me prioritetet e qytetit për klimën. Zgjerimi i programit mbështetet në rezultatet e arritura në 34 shtete ku 98 bashki kanë zbatuar nisma konkrete në dobi të qytetarëve dhe kanë forcuar besimin te bashkia, duke ndihmuar një brez të ri të besojë sërish te institucionet publike.
Të rinjtë e moshës 15–24 vjeç mund të paraqesin idetë e tyre dhe të marrin më shumë informacion në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, në linkun e mëposhtëm: https://durres.gov.al/thirrje-per-shprehje-interesi-7/
Në kuadër të Fondit për Veprimin Klimatik të të Rinjve, bashkitë organizojnë konkurse për ide inovative, duke ftuar të rinjtë të paraqesin propozimet e tyre, përzgjedhur projektet më të mira dhe financuar zbatimin e tyre me një fond prej 50 000 dollarësh amerikanë, si dhe me asistencë teknike nga Bloomberg Philanthropies.
Bashkitë përfituese, sikurse edhe Bashkia Durrës, caktojnë gjithashtu nëpunës për të mbështetur zbatimin e projekteve nga fillimi deri në përfundim, duke u mundësuar të rinjve të marrin drejtimin e nismave të tyre dhe t’i çojnë ato deri në realizim. Këto projekte mund të kontribuojnë në krijimin dhe përmirësimin e hapësirave publike, forcimin e infrastrukturës, zbutjen e pasojave të fatkeqësive dhe rritjen e qëndrueshmërisë së qytetit ndaj rreziqeve në të ardhmen.
Bashkitë që arrijnë të përdorin në kohë financimin fillestar do të përfitojnë edhe 50 000 dollarë shtesë, për të mbështetur projekte të tjera të udhëhequra nga të rinjtë dhe për të zgjeruar pjesëmarrjen e tyre.
“Fondi për Veprimin Klimatik të të Rinjve ka ndihmuar qindra mijëra të rinj në mbarë botën që ta shohin qeverisjen vendore jo si pjesë të problemit, por si partnere në zgjidhjen e çështjeve që kanë më shumë rëndësi për ta”, u shpreh Jaime Lavin, drejtues i Fondit për Veprimin Klimatik të të Rinjve pranë Bloomberg Philanthropies.
“Kur kryetarët e bashkive i ftojnë qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe u ofrojnë mbështetje konkrete ideve të tyre, angazhimi nuk mbetet më vetëm një premtim, por shndërrohet në rezultate konkrete dhe forcon besimin te mundësitë e institucioneve vendore. Ky është modeli që 98 bashki kanë ndihmuar të provohet dhe që tashmë do të zbatohet nga 300 bashki të tjera, me synimin për të arritur rezultate edhe më të mëdha”, shtoi ai.
Në mesin e 300 qyteteve të reja pjesëmarrëse në Fondin për Veprimin Klimatik të të Rinjve përfshihen 76 qytete nga Amerika Qendrore dhe Jugore, 63 nga Amerika e Veriut, 60 nga Afrika, 58 nga Evropa, 35 nga Azia, 6 nga Oqeania dhe 2 nga Lindja e Mesme.
Për të parë listën e plotë të 300 qyteteve, vizitoni faqen: bloomberg.org.
Rreth Bloomberg Philanthropies
Bloomberg Philanthropies investon në 700 qytete dhe 150 vende në mbarë botën, me synimin për të siguruar jetë më të mira dhe më të gjata për sa më shumë njerëz. Organizata përqendrohet në krijimin e ndryshimeve të qëndrueshme në pesë fusha kryesore: art, arsim, mjedis, inovacion në qeverisje dhe shëndet publik. Bloomberg Philanthropies përfshin të gjitha aktivitetet filantropike të Michael R. Bloomberg, duke përfshirë fondacionin e tij, kontributet filantropike të korporatës dhe ato personale, si dhe Bloomberg Associates, një organizatë këshillimore filantropike që ofron asistencë për qytetet në mbarë botën.
Në vitin 2025, Bloomberg Philanthropies shpërndau 4,3 miliardë dollarë.
Për më shumë informacion, vizitoni bloomberg.org ose ndiqni organizatën në rrjetet sociale Instagram, LinkedIn, YouTube, Threads, Facebook dhe X.