Kultura dhe etnografia

Durrësi është një qytet me kulturë të hershme, për vetë origjinën e tij të lashtë. Qyteti ka trashëguar mjaft vlera të së kaluarës, qendra historike dhe arkeologjike si Amfiteatri, Rrethoja Bizantine, Torra veneciane, Muri rrethues i Kalasë, por edhe qendra kulturore e fetare si rrënojat e Bazilikës në Arapaj, Kështjella e Rodonit etj. Qyteti ruan sot plot gjurmë edhe nga kultura më e vonë, duke kontribuar edhe në dhënien e personaliteteve me vlerë ndërkombëtare si Aleksandër Moisiu, që lindi në Kavajë dhe u rrit e u formua në Durrës. Qyteti ka patur institucione kulturore të konsoliduara, si teatër estrade, ansambel këngësh e vallesh popullore, teatër profesionist, i cili edhe sot jep shfaqe për publikun, trup muzikore profesionistësh etj. Gjithashtu në Durrës organizohen aktivitete në rang kombëtar e ndërkombëtar si, festivali ndërkombëtar i filmit, festivali muzikor i jazz-it, konkursi i poezisë poeteka etj. Etnografia e Durrësit, i përket kulturës së Shqipërisë së Mesme, ku gratë vishen me dimi e me jelekë, në kokë mbajnë një feste të vogel zbukuruar me imitime monedhash, kurse burrat veshin brekushe, xhoka të zeza prej Leshi ose jelekë të kuq, dhe në kokë mbajnë qeleshe me male të sheshtë. Gjithashtu edhe këngët e vallet i përkasin kulturës dhe traditave të Shqipërisë së Mesme.