Durrësi mund të krahasohet me qytetet më të mëdhenj të Mesdheut antik dhe mesjetar. Qyteti Epidamn – Dyrrah u ndërtua nga Ilirët Taulantë, dallëndyshasit në shekujt Xlll-XI p K. Në kushtet e një klime mesdhetare, zona më e përshtatshme për banim ishte ajo e lumit Erzen si dhe Ultësira Perëndimore përreth saj. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo Limani me emrin Dyrrah. Sipas autorëve antikë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë ilire të quajtur Dyrah dhe Epidamn. Në kohën e Perandorit Anastasi I (491-519) dhe Justianani I [527-565), qyteti pësoi transformime të ndjeshme në strukturën urbane duke marrë tiparet e një qyteti tipik bizantino-kristian.
Në shek. Xl-XV, Shteti Shqiptar njihet me emrin Shteti iArbrit. Ky shtet, kulmin e tij e arriti në periudhën e mbretërimit të Gjergj Kastriotit. Sipas kronikaneve Osmane të shek. XVl, Durrësi apo siç e cilësojnë ata “Kostandinopoja e Dytë”, u pushtua nga turqit me 13 Gusht1501. Vetëm në shek XVll, qyteti filloi të rimarrë veten duke u bërë qendër e tregtisë tranzite dhe skela kryesore e Shqipërisë së Mesme. M ë 26 Nëntor në Durrës ngrihet flamuri i Pavarësisë, nga një grup patriotësh të kryesuar nga atdhetari Ismail Qemali. Sundimit turk i kishte ardhur fundi, por duket se qytetin e lakmonin invazione të tjera: pushtimi serb (1913), ai austro-hungarez (1916) dhe pushtimi italian (1918).
Gjatë viteve të monarkisë shqiptare (1924-1939), Durrësi fitoi një frymëmarrje të re dhe qytetaria fisnike durrsake e bëri qytetin e vet model të zhvillimit ekonomik kapitalist. Më 7 Prill 1939 qyteti dhe rrethinat e tij u pushtuan nga trupat e ushtrisë italiane dhe gjermane dhe më 14 Nëntor 1944, Durrësi u çlirua. Periudhës së sistemit socialist (1945-1990), i përkasin investimet në disa degë të industrisë, kolektivizimi i bujqësisë, masivizimi i arsimit, ngritja e një seri objektesh social-kulturore. Në fillim të viteve ’90 zunë fill normat e para të sistemit demokratik me shumë probleme për fazën e tranzicionit, por me perspektivë për të ardhmen. Sistemi i ri dhe reformat ekonomike që u zbatuan në Shqipëri dhe në Durrës pas vitit 1990, sollën transformime të ndjeshme në jetën ekonomike.
Kultura dhe etnografia
Durrësi është një qytet me kulturë të hershme, për vetë origjinën e tij të lashtë.
Qyteti ka trashëguar mjaft vlera të së kaluarës, qendra historike dhe arkeologjike si Amfiteatri, Rrethoja Bizantine, Torra veneciane, Muri rrethues i Kalasë, por edhe qendra kulturore e fetare si rrënojat e Bazilikës në Arapaj, Kështjella e Rodonit etj.
Qyteti ruan sot plot gjurmë edhe nga kultura më e vonë, duke kontribuar edhe në dhënien e personaliteteve me vlerë ndërkombëtare si Aleksandër Moisiu, që lindi në Kavajë dhe u rrit e u formua në Durrës. Qyteti ka patur institucione kulturore të konsoliduara, si teatër estrade, ansambel këngësh e vallesh popullore, teatër profesionist, i cili edhe sot jep shfaqe për publikun, trup muzikore profesionistësh etj. Gjithashtu në Durrës organizohen aktivitete në rang kombëtar e ndërkombëtar si, festivali ndërkombëtar i filmit, festivali muzikor i jazz-it, konkursi i poezisë poeteka etj.
Etnografia e Durrësit, i përket kulturës së Shqipërisë së Mesme, ku gratë vishen me dimi e me jelekë, në kokë mbajnë një feste të vogel zbukuruar me imitime monedhash, kurse burrat veshin brekushe, xhoka të zeza prej Leshi ose jelekë të kuq, dhe në kokë mbajnë qeleshe me male të sheshtë. Gjithashtu edhe këngët e vallet i përkasin kulturës dhe traditave të Shqipërisë së Mesme.
June 16, 2009