Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka nënshkruar një marrëveshje me rektoren e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Kseanela Sotirofski. Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për realizimin e projekteve dhe aktivitete të ndryshme me interes zhvillimin e përbashkët. Kryebashkiakja Sako deklaroi se nëpërmjet kësaj marrëveshje i hapet rruga jo vetëm bashkëpunimit institucional por edhe mbështetjes për studentët me programe të ndryshme: “Kjo marrëveshje ka për qëllim jo vetëm bashkëpunimin midis dy institucioneve por edhe mbështetjen direkte që duhet ti japim studentëve të ekselencës por edhe studentëve të tjerë të këtij universiteti me programe të posaçme si dhe realizimin e kartës së studentit. Meqënëse kjo marrëveshje ka një afat katër vjeçar në vazhdim do të bashkëpunojmë me projekte të tjera shumë të rëndësishme që do të jenë në dobi jo vetëm të dy institucionecve tona por të gjithë qytetit të Durrësit.” Rektorja e UAMD Kseanela Sotirofski deklaroi se bashkia dhe universiteti janë dy institucione motorr që bëjnë të mundur zhvillimin e qytetit: “Bashkia e Durrësit dhe universiteti Aleksandër Moisiu janë dy institucione motorr që bëjnë të mundur zhvillimin e qytetit. Unë i shpreh falenderimet kryetares së Bashkisë për gatishmërinë e saj në firmosjen e kësaj marrëveshje dhe për mbështetjen që do tu japë bashkia studentëve tanë me realizimin e kartës së studentit dhe projekte e programe të tjera të shumta.”
February 26, 2021