KËRKO

Është zhvilluar në Bashkinë e Durrësit dëgjesa publike në kuadër të prezantimit të rezultateve të projektit “Studim projektim i zonës turistike’, Golem Lot 2″

Është zhvilluar në Bashkinë e Durrësit dëgjesa publike në kuadër të prezantimit të rezultateve të projektit “Studim projektim i zonës turistike’, Golem Lot 2″, të zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Në këtë dëgjesë kanë marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Gentian Kallmi, përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kompania konsulente dhe grupet e interesit nga zona e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit. Bashkia e Durrësit zhvilloi këtë Dëgjesës Publike me grupet e interesit, për të bërë të mundur njohjen dhe ndikimin e këtij projekti në zhvillimin e zonës Plepa-Golem e cila është një zonë tepër tërheqëse përsa i përket turizmit bregdetar. Kjo zonë është shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj sidomos gjatë periudhës së verës. Ky projekt i cili ka si objektiv kryesor përmirësimin e infrastrukturës së kësaj zone turistike (pra rikualifikimin e kuartallave/lagjeve në mes të residencave të banimit), ka një rëndësi të veçantë si nga aspekti studimor ashtu edhe nga aspekti i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik të zonës. Në të vërtetë, ky investim konkret kthehet në një përfitim për të gjithë komunitetin e zonës si edhe për turistët vendas apo të huaj pasi ndikon direkt në rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit, rritjen e mundësive për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të zonës turistike, përmirësimin dhe rritjen e sigurisë së lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike si edhe përmirësimin dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve të transportit nga zona turistike në drejtim të Kavajës, të Durrësit dhe të Tiranës.