Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin austriak Christian Steiner dhe ambasadorin spanjoll Marcos Alonso Alonso. Gjatë takimit kryebashkiakja Sako dhe dy ambasadorët kanë bashkëbiseduar për ngritjen e urave të bashkëpunimit, sidomos në fushën e infrastrukturës, rinisë, trashëgimisë kulturore, arsimit. Po kështu u diskutua edhe në lidhje me mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të binjakëzimit me qytete simotra në Austri si edhe në Spanjë. Ambasadori austriak Christian Steiner vuri në dukje lidhjet e hershme historike të Shqipërisë dhe sidomos qytetit të Durrësit me Austrinë. Ndër të tjera ambasadori Steiner u tregua i gatshëm për të forcuar akoma më tej bashkëpunimin në fushën e kërkimeve arkeologjike, bashkëpunimeve akademike dhe trashëgimisë kulturore. Ndërsa ambasadori spanjoll Marcos Alonso Alonso e vuri theksin në rritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona, sidomos shkëmbimit të eksperiencave të të rinjve shqiptarë dhe atyre spanjollë nëpërmjet programeve ERASMUS +. Ambasadori Alonso shprehu gadishmërinë e tij për të mbështetur trashëgiminë kulturore me fokus sidomos tek arkeologjia.
June 10, 2021