KËRKO

Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako dhe kryebashkiaku i Barit Antonio Decaro në eventet e zhvilluara në Itali në përkujtim të 30 vjetorit të emigrimit me anijen Vlora

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako me ftesë të kryebashkiakut të Barit Antonio Decaro ka marrë pjesë në eventet e rradhës të organizuar në Itali nga Bashkia e Barit në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit për të përkujtuar 30 vjetorin e zbarkimit të 20 mijë emigrantëve shqiptarë në Itali me anijen Vlora, moment i rëndësishëm historik. Në vijim të eventit të organizuar me 5 Gusht në Durrës, kryebashkiakja Sako së bashku me Kryebashkiakun Decaro përuruan sheshin e ri “Sono Persone 8.8.1991” pikërisht aty ku ndodhet edhe vepra monumentale me të njejtën emër, binjakja e së cilës ndodhet në shëtitoren “Taulantia” në Durrës. Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako deklaroi në eventet e zhvilluara në Bari se: “Faleminderit për të gjithë ata italianë, që hapën dyert e pritën emigrantët shqiptarë, duke treguar zemërgjerësinë dhe solidaritetin e popullit italian. Tre dekada me pas gjithcka ka ndryshuar. Shqiptarët që u larguan u bënë qytetarë dinjitozë dhe të respektuar në vendet ku jetojnë. Shqipëria është sot një vend modern gati të hyjë në Europë. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera mes dy qyteteve dhe shteteve tona që lagen nga i njëjti det, deti Adriatik, deti i cili nuk na ndan por na bashkon gjithnjë e më tepër. Ky takim solli në fokus forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona nëpërmjet zbatimit të marrëveshjes protokollare të binjakëzimit me Bashkinë e Barit. Ky binjakëzim synon zbatimin e projekteve në fusha të ndryshme, shkëmbimin e eksperiencave më të mira në lidhje me turizmin, trashëgiminë kulturore, programet mësimore, praktikat studentore etj.”