Në kuadër të javës së OKB-së kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka marrë në një sërë aktivitetesh që janë zhvilluar në Durrës. Në këto aktivitete ka marrë pjesë Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri dhe drejtuesit e agjencive të OKB-së dhe organizatave të tjera partnere në vendin tonë. Në takimin e zhvilluar në bashkinë e Durrësit kryebashkiakja Sako shprehu mirënjohjen për mbështetjen financiare dhe ndihmën që OKB na kanë dhënë ndër vite dhe sidomos për përballimin e pasojave të tërmetit si dhe të pandemisë. Po kështu ka vlerësuar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera e sidomos në atë sociale. Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha të ndryshme. Më pas kryebashkiakja Emiriana Sako, Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri dhe drejtuesit e agjencive të OKB-së dhe organizatave të tjera partnere në vendin tonë vizituan stendat ekspozuese te aktiviteteve të agjencive të OKB-së, si: UNOPS, UNDP, UNICEF, UNWOMEN, IOM, FAO, UNHCR. Më pas ata morën pjesë në aktivitetin e UNWOMEN dhe ESD Albania me temë: Fuqizimi nëpërmjet vetëmbrojtjes, ku u zhvilluan edhe demonstrime të vetëmbrojtjes nga të rinj të qytetit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e shkallës së ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e një komuniteti më të sigurtë, barazinë gjinore dhe vetërealizimin e vetëkujdesjen për gratë dhe vajzat. Më tej ata vizituan edhe çerdhen nr.3 e dëmtuar nga tërmeti dhe e rikonstruktuar tërësisht në sajë të EU4Schools. Ky program mundëson rindërtimin dhe rikonstruksionin total të 21 godinave arsimore nga të cilat 5 kanë përfunduar. Aktivitetet vijuan me ekspozitën fotografike “Ëndrrat Që Mbartim” e fotografit Renuar Locaj dhe kurator Oltsen Gripshi e organizuar nga Caritas Shqipëri dhe UNHCR. Foto e ekspozuara portretizonin qëndresën dhe aspiratat e njerëzve të detyruar për t’u larguar nga vendet e tyre për shkak të konfliktit, dhunës, dhe persekutimit. Këto foto, që tregojnë histori njerëzore, jo vetëm që na frymëzojnë të vlerësojmë jetën, vendin ku jetojmë, shtëpinë, komunitetin por edhe janë si një ftesë për një angazhim institucional jo vetëm humanitar por dhe të qëndrueshëm për një komunitet sa më integrues.
October 28, 2022