KËRKO

Bashkia e Durrësit zhvilloi me Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri dëgjesën publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.

Në zbatim të Kalendarit të Dëgjesave Publike për buxhetin vjetor 2023 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 si dhe në kuadër të “Transparencës Publike”, vijuam me Dëgjesat Publike për programet kryesore të zhvillimit në Bashkinë Durrës, bazuar në Ligjin Nr 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”.
Kryetarja e Bashkise së Durresit Emiriana Sako, ka zhvilluar Dëgjesat Publike me banorët e Njësive Administrative Sukth dhe Katund i Ri për programet më kryesore të Buxhetit të Bashkisë Durrës:
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publike per PBA 2024-2026
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga komuniteti i Njësive Administrative Sukth dhe Katund i Ri, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, OSHE, Ujësjellës Kanalizime, Emergjenca Civile, OJF që operojnë në këto Njësi Administrative etj.
Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako foli për rëndësinë që kanë Dëgjesat Publike për hartimin e Buxhetit Afatmesëm si një proces shumë i rëndësishëm për të paraqitur punën që është bërë, projektet që janë realizuar deri tani dhe cfarë do të bëjmë në të ardhmen.
Në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri janë bërë investime në infrastrukturë, në ujesjellës, arsim, kanalizime, infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera. Po kështu një punë e madhe është bërë me rehabilitimin e argjinaturave në këto dy njësi me synim parandalimin e përmbytjeve. Investimet do të vazhdojnë në këto njësi administrative edhe në vijim në fusha të ndryshme.
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e tre programeve buxhetore për PBA 2024-2026, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës .
Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.