Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026, zhvilluam Dëgjesën Publike me Njësitë Administrative Nr.1,2 dhe 3 për tre programet më krysore të buxhetit të Bashkisë Durrës si:
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Njësive Administrative Nr.1,2 dhe 3 të qytetit të Durrësit, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe te shoqërise civile, përfaqësues të Këshillit Bashkiak dhe grupe të interesit.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako e cila pasi përshëndeti dhe falenderoi pjesmarrësit, tha se zhvillojmë dëgjesën publike, me qytetarët e Nj. Administrative 1, 2 dhe 3 mbi buxhetin e vitin 2023, dhe projekt buxhetit afatmesëm 2024-2026, por njëkohësisht, është dhe kënaqësi për të bashkëbiseduar së bashku për investimet që kemi realizuar deri tani, por më kryesore, të vendosim së bashku prioritizimin e investimeve për tre vitet në vazhdim dhe për ti reflektuar në buxhet:
“Nëse do të flasim për investimet, jemi në një zonë që realisht është zemra e Durrësit, e cila mbart në vetvete trashëgiminë kulturore, historike dhe arkeologjike të qytetit.
Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Fondin Amerikan të Zhvillimit ka një projekt të madh për këtë zonë, për të bërë rehabilitimin e gjithë qendrës së qytetit, ku do të ndërhyhet kryesisht në objektet e vijës së parë të rrugës tregtare dhe më tej faza e dytë do të jetë nderhyrja në Amfiteatrin e Durrësit dhe Forumin rrethor prapa Pallatit të Kulturës.
Në Njësinë Administrative Nr.1, me fondet e Bashkisë Durrës, është bërë e mundur ndërhyrja në disa akse rrugore, ku përmendim rrugën “Currila-Ferrara”, projekt i sapo përfunduar nga Bashkia, i cili është një segment që shtrihet mbi pjesën e Hotel “Ferrarës”, që në një të ardhme do të lidhë pjesën qëndrore të Durrësit, me Spitalin dhe Spitallën. Me ndërhyrjen e Ndërmarrjes Rruga, kemi bërë të mundur kryesisht ndërhyrje të vogla, pra rehabilitime në rrugët “Egnatia”. Gjithashtu, dhe në njësitë e tjera është ndërhyre në rrugët: “Bashkimi”, “Luan Hasa”, ndricimin e rrugëve “Neki Libohova”, “Jahja Ballhysa”. Kemi një projekt për ndërhyrje për problematikën e përmbytjeve.
Po kështu kemi përfunduar shkollat “Bedrie Bebeziqi, rikonstruksionin e shkollës “Jusuf Puka”, kemi në proces dy objekte shumë të rëndësishme “Qendrën Kulturore të Fëmijëve” dhe shkollën “Gjergj Kastrioti”. Në këtë objekt, nga punimet dhe gërmimet është zbuluar një mozaik shumë i rendësishëm. Do të vendosim për hapat e mëtejshëm.
Me FSHZH kemi një projekt të rëndësishëm për parkimin në qytet, pranë stacionit të trenit, ku do të ngrihet një objekt shtatë katësh në të cilën do të parkohen automjetet, dhe nga ana tjetër në bazë të kërkesave të qytetarëve për parkimet në qytet kemi menduar, që disa nga akset kryesorë të qytetit si rruga paralel më murin e portit, rruga “Taulantia”, rruga kryesore, të kthehen në parkim me pagesë, dhe këtë do ja propozojmë Këshillit Bashkiak. Do të fillojmë me akset kryesore, pastaj do të shtrihemi në parkimet brenda blloqeve, kjo do të jetë për një fazë të dytë të studimit.
Përsa i përket Njësisë Administrative Nr.2, kemi rehabilituar rrugën “Prokop Meksi”, lulishten tek Mauzoleumi i Dëshmorëve, nga të dyja anët e rrugës kryesore, jemi në proces studimi për rehabilitimin e Mauzoleumit të Dëshmorëve, si objekt dhe si sipërfaqe e gjëlbër që është në zonën para, për ta kthyer në një objekt të vizitueshëm. Kemi realizuar rregullimin e rrugës që lidh Mauzoleumin e Dëshmorëve me stacionin e trenit.
Kemi realizuar ndërtimin e shkollës “Hajdar Dushi”, rikonstruksionin e kopshtit 1 Qershori, kopshtit Met Hasa, kemi përfunduar projektin e shkollave Vasil Ziu dhe Nënë Tereza.
Kemi një projekt të madh për zbatim, për furnizimin 24 orë më ujë të pijshëm.
Për Njësinë Administrative Nr.3, kemi realizuar rrugët “Edit Durham”, kemi bërë të mundur fillimin e punës për rikualifikimin e kuartallave në lagjën 16, kapotë, suvatim, lyerje dhe heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve.
Nga shkollat përmendim rikonstruksionin e plotë të shkollës “Hysen Cela”, konvikti i shkollës “Benardina Qeraxhia”, është në proces zbatimi, “Leonik Tomeo” rikonstruksion i plotë, është përfunduar cerdhja nr.2.
Ndërtimi i zonës së stadiumit, kemi marrë vendimin e Këshillit Bashkiak për të ndërhyrë në këtë zonë, me projektin dhe ndërhyrjen me FSHZH, kemi rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, i kemi dhënë prioritet të madh sportit, dukë bërë të mundur të forcojmë lidhjen e fortë të rinisë me sportin.
Paketa Fiskale nuk ka ndryshime, nëse do të zbatojmë projektin për parkimet private, do të fusim këtë tarifë duke bërë ndryshimet përkatëse në paketë.”
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e programeve buxhetore për PBA 2024-2026, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës .
Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
October 30, 2023