Ka nisur të marrë formë projekti i Shkollës së Futbollit të Manchester City me veprimtarinë e parë dedikuar komunitetit të futbollit në Durrës. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila ka zhvilluar edhe një takim me trajnerët e akademisë së Manchester City. Trajnerët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës patën mundësinë që jo vetëm të informoheshin shkurtimisht mbi projektin më të ri të Dyrrah City Football Academy por edhe të trajnoheshin mbi parimet bazë të zhvillimit të programit të Manchester City për akademitë.
Dy trajnerët e mirënjohur të Manchester City, Gavin Rhodes dhe Andy Smith shpjeguan shtyllat e zhvillimit të “Lojës së Bukur”, siç e quajnë ata, që nga ekipi i parë e deri tek grupmosha më e vogël. Seminari teorik u pasua nga një seancë stërvitore praktike në fushë. Rhodes theksoi se programi që po implementohet tek Manchester City për mbi dhjetë vjet ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme: “Ne sot kemi Phil Foden si flamurin e akademisë tonë në Manchester. Shpresojmë se përmes programit tonë në Shqipëri të zbulojmë e të zhvillojmë “Phil Fodenin” Shqiptar.”
Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit përfocoi edhe më tepër idenë se ky do të jetë një projekt mbarë kombëtar për rritjen dhe zhvillimin e talentëve që në nivelin e akademive. Pas këtij aktiviteti fillestar do të vijojnë një sërë nismash të tjera interesante për publikun futbolldashës ku do ti jepet mundësia fëmijëve dhe adoleshentëve të provojnë seancën stërvitore të drejtuar nga trajnerët e Manchester City dhe ku do të ketë supriza të tjera për fëmijët por edhe për të gjithë publikun që dashuron “Lojën e bukur”.
February 23, 2024