Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino morën pjesë në përurimin e Çerdhes nr.2, e cila është rikonstruktuar tërësisht dhe shkollës “Eftali Koçi” që është ndërtuar e re. Këto objekte janë pjesë e Programit “EU4Schools” financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP Albania në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Janë 18 godina arsimore që po rikonstruktohen apo ndërtohen nga e para si pjesë e programit “EU4Schools” nga të cilat 11 kanë përfunduar dhe 7 janë në proces. Çerdhja nr.2 ka 120 fëmijë dhe një staf prej 17 punonjësish ndërsa në shkollën “Eftali Koçi” janë 542 nxënës, 36 mësues dhe 40 fëmijë të kopshtit me të njëjtin emër. Të gjithë këta nxënës e fëmijë do të zhvillojnë procesin mësimor në godina më të sigurta, me standarte evropiane dhe në kushte moderne. Pranë shkollës së re “Eftali Koçi” u zbulua edhe një sit i ri arkeologjik i cili është një shembull i harmonizimit të një projekti publik si kjo godinë arsimore me një sit arkeologjik në natyrë, një sinergji mes aktorëve të këtij zhvillimi. Është gjetur fragment i murit rrethues që ndante hapësirën urbane me atë funerare e religjioze të qytetit antik. Muri mendohet të jetë ndërtuar si fillim në shekullin VI para erës sonë, në periudhën arkaike dhe më pas rimodeluar në shekujt IV-III para erës sonë. Sot ky sit është në proçes të shpalljes Pasuri Kulturore. Durrësi ka gjithsej 86 godina arsimore. Vitet e fundit 71 prej tyre janë rikonstruktuar apo ndërtuar nga e para pra 80 % e të gjitha godinave arsimore të Durrësit janë me ambiente të reja bashkëkohore.
March 12, 2024