Në përgjigje të ftesës së kryetarit të bashkisë së Zadarit, kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë së Durrësit zhvilluan një vizitë zyrtare në këtë qytet të Kroacisë me të cilin Bashkia e Durrësit ka lidhur një marrëveshje binjakëzimi. Në takimin me kryebashkiakun, Branko Dukić, kryebashkiakja Sako diskutoi lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, si turizmi, kultura apo zhvillimi urban, nisur edhe nga ngjashmëritë midis dy qyteteve. Në këtë takim merrnin pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, deputetja me origjinë shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj, konsulli i nderit i Shqipërisë në Zadar, Anton Dedaj, kreu i dhomës së tregtisë të Zadarit, Denis Ikić, drejtoresha e turizmit, Iva Bencun, drejtori i planifikimit dhe infrastrukturës, Darko Kasap, drejtoresha e administrimit të fondeve të BE, Stefani Mikulec Perković. Në diskutimet me palën kroate kryebashkiakja Sako prezantoi qytetin e Durrësit me të gjithë potencialin e tij turistik dhe ekonomik si dhe u ndal në investimet kryesore strategjike apo edhe nismat kryesore në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë. Gjithashtu u shkëmbyen eksperiencat lidhur me zbatimin e projekteve të BE-së si edhe u theksua vendosja e partneritetit me Bashkinë e Zadarit për të aplikuar në thirrjet e reja në programet më të fundit të financimit të BE.
March 22, 2024