Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka marrë pjesë në në eventin “Panairi i Punës & Karrierës, Edicioni i IV në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në këtë panair merrnin pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, rektorja e UAMD, Kseanela Sotirofski, prefekti Emiljan Jani, pedagogë e studentë si dhe përfaqësues të institucioneve dhe biznesit. “Panairi i Punës & Karrierës UAMD” është një event i cili përfshin aktorë lokalë dhe kombëtarë, të cilët kanë ndërtuar një panair me “kënde informacioni” për studentët, në kërkim të mundësive të profesionalizimit ose punësimit.
Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako deklaroi se të gjithë studentët me potencial dhe ide të reja do të gjejnë plotësisht mbështetjen tonë: “Qyteti ynë po transformohet falë investimeve madhore sipas vizionit të një qyteti turistik evropian dhe si i tillë është një treg shumë i madh pune për njerëz të kualifikuar që duhet të vijnë pikërisht nga Universiteti i Durrësit. Në këtë mënyrë shumë të rinj e të reja do të kenë mundësi falë profesionalizmit dhe punës së tyre të ndërtojnë të ardhmen në qytetin tonë. Të gjithë studentët e sotëm, por profesionistët e së nesërmes që kanë potencial, aftësi dhe ide të reja do të gjejnë plotësisht mbështetjen tonë, sepse për ne, të rinjtë janë garancia e një të ardhmeje të bukur dhe të sigurtë për qytetin e Durrësit dhe vendin tonë.
Përmes mbajtjes së Edicionit të IV të “Panairit të Punës & Karrierës”, kompanitë dhe punëdhënësit janë takuar dhe kanë komunikuar direkt me studentët dhe të rinjtë pjesëmarrës, në fushat e Teknologjisë dhe Informacionit, Edukimit, Biznesit, Aftësimit Profesional, Mikpritjes dhe Turizmit, Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, si kandidatë potencialë të forcës punëtore të kualifikuar që kërkojnë.
May 15, 2024