Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të programit buxhetor afat mesëm 2025-2027, zhvilluam Dëgjesën Publike në Njësinë Administrative Nr.5 për tre programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës.
- Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publike për PBA 2025-2027
- Programi i Arsimit Parashkollor dhe Parauniversitar
- Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjerë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të komunitetit të Njësisë Administrative, përfaqësues të grupeve të interesit, përfaqësues të Këshillit Bashkiak, Institucioneve Arsimore, OSHE, Emergjenca Civile, Ujësjellës-Kanalizime, OJF që operojne në këtë njësi etj.
Takimin e hapi Nënkryetari i Bashkisë, Elio Jani i cili bëri një panoramë të investimeve që janë bërë në këtë njësi.
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e tre programeve buxhetore për PBA 2025-2027, të cilët u prezantuan nga Drejtorët e Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës.
U prezantuan objektivat për investimet në infrastrukturë rrugore në Projekt Buxhetin e vitit 2025-2027, ndërtimin e 27 rrugëve dhe rrugicave së bashku ndërsa projektet në infrastrukturën publike për vitin 2025-2027 përfshijne rikonstruksionin dhe ndërtimin e qendrave shëndetësore, rikonstruksion dhe ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve, krijimin e hapësirave publike si dhe kënde lojërash për fëmijë, ndërtimin e terreneve sportive si dhe pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit të kullimit të cilat do të jenë prioritet për vitet e ardhshme. Një nga projektet më madhorë që do të fillojë së shpejti është palestra e mbyllur e Shkollës “Abedin Dino”, si dhe do të vazhdojë faza e dytë e rehabilitimit të Shëtitores së Plazhit dhe shtimi i brezit të rërës rreth 30 m për shfrytëzimin e plazhit.
Pas prezantimit të këtyre programeve, fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë, të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
October 14, 2024