Muaji Tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin për këtë sëmundje. Në kuadër të kësaj fushate u zhvillua një takim sensibilizues me gra e vajza të Durrësit ku mori pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, deputetet Milva Ekonomi e Klodiana Spahiu, drejtoresha e NJVKSH Durrës, Aurora Hyka, prefekti Emiljan Jani, drejtori i Spitalit Rajonal të Durrësit, Ani Dyrmishi, përfaqësues të institucioneve shëndetësore. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako deklaroi se kanceri i gjirit mbetet një sëmundje e rrezikshme, por fatmirësisht mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat, në rast se diagnostikohet herët: “Vëmendja jonë ndaj kancerit të gjirit nuk duhet të zbehet për asnjë moment. Këtë e dëshmon edhe sensibilizimi që vijon të kryhet nga të gjitha institucionet dhe shoqëria civile për të ritheksuar edhe një herë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje. Unë ju falenderoj për bashkëpunimin e ngushtë midis bashkisë së Durrësit dhe të gjithë institucioneve të shendetësisë, të pushtetit vendor e qëndror si dhe të të gjithë aktorëve të tjerë të kësaj fushate për të rritur ndërgjegjësimin mbi diagnostikimin e hershëm. Parandalimi është rruga më e sigurt për një jetë të gjatë e të shëndetshme. Ne kemi dëshmuar se me punë të palodhur dhe me përkushtim mund të tejkalohen shumë sfida, mund të parandalohen shumë sëmundje, vetëm nëse ato zbulohen me kohë dhe e vetmja mënyrë për zbulim të hershëm është kontrolli i rregullt mjekësor, që duhet të bëhet pjesë e kulturës tonë jetësore për jetë të shëndetshme. Gjej rastin të falenderoj stafet mjekësore të qendrave shëndetësore që bëjnë depistimin dhe stafin e Spitalit Rajonal Durrës që bëjnë ekzaminimet dhe ofrojnë shërbimin e kujdesit paliativ. Është e rëndësishme të themi se kontrolli kryhet shumë lehtësisht. Mjafton një rekomandim i thjeshtë nga mjeku i familjes dhe mamografia bëhet falas në Spitalin e Durrësit, jo vetëm në tetor por çdo ditë të vitit. I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë kontrollin mjekësor për të parandaluar këtë sëmundje. Të mos shërbejë vetëm muaji tetor për depistimin e kancerit të gjirit por le të jetë një kujdes gjithë vjetor. Lufta me kancerin e gjirit, është luftë e jona e përbashkët!” Disa nga gratë pjesëmarrëse ndanë me të ftuarit historitë e dhimbshme të luftës së tyre me këtë sëmundje të rëndë dhe mbi të cilën ato triumfuan. Në takim u theksua rëndësia e kontrollit mjekësor dhe diagnostikimit të hershëm si mënyra më e mirë për të parandaluar këtë sëmundje.
October 23, 2024