Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe përfaqësues të organizatës së veteranëve. Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako. Kryebashkiakja Sako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit:
“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu në përkujtim të ngjarjes së madhe, kur përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. 112 vjet më parë kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, ngriti flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912. Një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta dhe sakrificat e panumërta që janë bërë për këtë vend, një akt historik të cilin e nderojmë gjithmonë.
Durrësi është qyteti që priti Ismail Qemalin dhe atdhetarët e shquar që e shoqëronin, në rrugëtimin për realizimin e ëndrrës dhe misionit të shenjtë,për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.Me ngritjen e flamurit, më 26 nëntor 1912, u çel rrugëtimi drejt krijimit të shtetit të pavarur të shqiptarëve. Në këtë përvjetor ne nderojmë me respekt dhe mirënjohje, figurat e shquara durrsake për veprimtarinë atdhetare: kryetarin e parë të Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, ata njerëz të devotshëm që siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi, përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Vlorës: Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha, Abaz Çelkupa, patriotët durrsakë: Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan e Marie Kaçulini, e të tjerë.
Ajo ngritje flamuri nuk ishte thjesht një rit ceremonial, ajo ishte një ndarje përfundimtare me të kaluarën. Në këtë ditë ne festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon. Pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet duke na bërë të ndihemi të realizuar; sot kemi te gjithe arsyet për t’ iu gëzuar faktit që, në këtë ditë të madhe, së bashku me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar, është rritur dhe vetëdija jonë shtetërore.
Të dashur qytetarë të Durrësit, 26 Nëntori është, gjithashtu, një ditë përkushtimi ndaj vlerave njerëzore, një ditë kujtese ndaj një tragjedie, që na goditi rëndë por nuk na përkuli. 5 vjet me parë ne u përballëm me një nga fatkeqësitë natyrore më të vështira, që ka kaluar ndonjëherë vendi ynë. Vlerat njerëzore të këtij qyteti dhe të kombit tonë si: humanizmi, solidariteti, dhe puna e jashtëzakonshme bënë që gjurmët e asaj fatkeqësie të kalonin sa më shpejt. Sot, pas 5 vjetësh, le të kujtojmë me respekt viktimat e tërmetit të 26-nëntorit.
Kjo ditë shërben edhe që të shikojmë të ardhmen me shpresë dhe vendosmëri. Kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat dhe rolin e tij të merituar, duke u bërë një faktor dhe aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë. Vendi ynë është i fokusuar në objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian. Me çeljen e grupkapitullit “Themeloret”, Shqipëria ka bërë hapin historik drejt familjes evropiane. Tashmë ne jemi shumë pranë integrimit në BE, që është e ardhmja më e mirë dhe rruga më e sigurtë për Shqipërinë, për gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe vetë rajonin.
Kjo ditë na jep të drejtë të ndihemi në të njëjtën lartësi me popujt e tjerë të Evropës, në sajë të përpjekjeve dhe luftës sonë për mëvetësi.Falë kësaj lufte e qëndrese shqiptarët treguan që nuk janë kapitullantë edhe kur gjenden në momente braktisjeje e harrimi. Dhe kemi treguar gjithashtu se në momente kyçe kemi ditur të vendosemi në anën e duhur të historisë. Le të jetë kjo ngjarje që na bashkon edhe një ftesë për të përfituar prej më të mirave tona në histori. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë!”
November 26, 2024