Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako priti në një takim kryetarin e bashkisë së Rijekës, Marko Filipoviç, si dhe delegacionin që e shoqëronte ku bënin pjesë Nënprefekti i Rijekës, Petar Mamulla, Drejtoresha e Kabinetit të Prefektit të këtij qyteti, Ermina Duraj, Kryetari i Këshillit Shqiptar në Rijekë, Gani Xharrahi, Këshilltare e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, Zëvendëskryetari i Bashkësisë Shqiptare, Ramzi Bajraktari dhe aktivistin shqiptar, Pjetër Prljaskaj. Kryebashkiakja Sako e njohu delegacionin kroat me potencialin e jashtëzakonshëm turistik e ekonomik të Durrësit si dhe historinë e lashtë të qytetit tonë me trashëgimi kulturore të pasur. Edhe kryebashkiaku, Marko Filipoviç, ka bërë një përmbledhje të përgjithshme të vlerave kulturore dhe ekonomike të Rijekës, njërit prej qyteteve më të rëndësishëm të Kroacisë ku ndodhet edhe porti kryesor i këtij shteti. Më pas u diskutua rreth marrëdhënieve midis dy vendeve si dhe për të forcuar bashkëpunimin midis dy qyteteve portuale me projekte konkrete në fushën e turizmit, ekonomisë, tregtisë, arsimit, kulturës dhe në të gjitha nivelet dhe fushat e tjera të mundshme. Pas takimit delegacioni kroat vizitoi disa nga sitet arkeologjike të Durrësit.