Me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesve, Bashkia e Durrësit organizoi një ceremoni të veçantë për të vlerësuar kontributin e mësuesve të qytetit për mësimin  dhe edukimin e fëmijëve. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, deputetja Klodiana Spahiu, drejtoresha e ZVA, Amarilda Thërrmija, drejtori i DRAP, Hazbi Lika dhe mësues të nderuar të qytetit. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako pasi falenderoi arsimtarët për kontributin që japin në misionin e tyre fisnik deklaroi se urimi më i mirë në këtë 7 Mars janë 70 shkolla, kopshte e çerdhe të rikonstruktuara e rindërtuara në Durrës 10 vitet e fundit me standarte bashkëkohore: “Ne ju nderojmë ju, për punën e kontributin tuaj të madh që keni dhënë,  po jepni e do të jepni, për mësimin  dhe edukimin e fëmijëve. Të gjithë mësuesit falë punës së palodhur dhe pasionit ndër vite kanë kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e brezave të rinj. Unë ju falënderoj për gjithçka që keni bërë në dobi të arsimit në Durrës por edhe për modelin pozitiv që mësuesit transmetojnë në komunitet. Puna që ne bëjmë në mbështetje të arsimit është falenderimi më i mirë për kontributin e mësuesve. Kemi ndërtuar e rikonstruktuar shumë shkolla me buxhetin e bashkisë ndërkohë që shumë të tjera janë ndërtuar nga procesi i rindërtimit. Të gjitha këto shkolla ofrojnë kushte bashkëkohore dhe standarte evropiane për mësuesit dhe nxënësit. Durrësi është një qytet ku arsimi dhe kultura janë mjaft të zhvilluara.  Dhe kjo, falë punës dhe sakrificave tuaja dhe të të gjithë mësuesve të çdo kohe. Uroj të gjithë arsimtarët Gëzuar 7 Marsin, shëndet e jetë të gjatë dhe suksese në misionin tuaj të madh në edukimin e brezave të tërë. Ju dhe puna juaj fisnike do të kujtohen dhe vlerësohen gjithmonë me respekt e nderim të thellë.” Në këtë ceremoni drejtoresha e ZVA, Amarilda Thërrmija, ka shprehur mirënjohjen në emër të sektorit të arsimit për kontributin e dhënë nga kryebashkiakja Sako dhe bashkia e Durrësit në zhvillimin e këtij sektori si dhe krijimin e kushteve bashkëkohore në të gjitha godinat arsimore të qytetit. Në ceremoni ka përshëndetuar edhe deputetja Klodiana Spahiu duke uruar arsimtarët për përkushtimin, pasionin, sakrificat dhe kontributin që ata japin në edukimin e brezave të tërë duke kryer një mision fisnik pasi mësimet e mësuesve  janë udhërrëfyes për rrugën e fëmijëve, për të ardhmen dhe për jetën e tyre. Në këtë ceremoni kryebashkiakja Sako u ka dhënë Çertifikatë Mirënjohjeje disa prej mësuesve të nderuar të Durrësit për kontributin e në fushën e arsimit, për konsolidimin e shkollës, për edukimin shkencor dhe atdhetar të nxënësve, si shenjë vlerësimi ndaj figurës së ndritur të mësuesit.