Është përkujtuar në Durrës 86 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoninë e zhvilluar merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, deputetë, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Sipas kryebashkiakes Sako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Në 7 prill 1939 atdhetarët shqiptarë, me uniformë e pa uniformë, nën armë e vullnetarë, me komandë e pa komandë, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli. Ky shesh ku jemi mbledhur është dëshmitar i një prej qendresave më të hershme antifashiste në botë. Dhe ky fakt është në nderin e këtij vendi. 7 prilli është dhe një datë prove e krenarie, sepse në këtë vend antifashizmi e manifestua disa vite para se të themelohej Karta e Antifashizmit, Karta e Atlantikut, Karta e Aleancës së Madhe. Ky shesh ka parë shumë e ka dëgjuar shumë. Që nga zbarkimi i ushtrive të Pompeut deri në luftën antifashiste, mbi 60 ushtri të huaja kanë provuar të hyjnë nga kjo portë. Pushtimet kanë qenë kalimtare, ushtritë po ashtu, kurse populli jetoi e mbijetoi. Historia e Shqipërisë merr kuptim e mburrje jo nga numri i ushtrive që e kanë rrezikuar, por nga fuqia e mbijetesës. Prandaj ne në këtë ditë i drejtojmë nderimin tonë jo vetëm atij brezi që kundërshtoi pushtimin e huaj, jo vetëm atyre brezave që kanë qenë mburoja e fateve të popullit, por bashkë me ta edhe atyre mijëra e mijëra shqiptarëve padrejtësisht anonimë, që ndërtuan paqen dhe rendin shoqëror, atyre që e kanë lënë gjurmën historike të vetes në trashëgiminë materiale e jomateriale shqiptare, në pamjen e dukshme e të padukshme të qytetit tonë e të gjithë Shqipërisë. Na duhet kujtesa historike jo për ta kthyer në një institucion lavdie e vetëmburrjeje. Ajo për ne nuk është qëllim në vetvete. Ndryshe do ta kthenim kujtesën në një mur që ndan të ardhmen nga e shkuara. Kush sheh prapa, shkon prapa, thoshin filozofët antikë. Ne duam të ndërlidhim kohët duke i kthyer shenjat e kujtesës në vija që shohin nga e ardhmja. Sot është dita që të kujtojmë se qendresa shqiptare e 7 prillit, antifashizmi i këtij populli, e fituan vlerën e tyre kombëtare e ndërkombëtare qysh se Shqipëria u shpall fuqi aleate fitimtare. Por edhe të kuptojmë se e sotmja dhe e ardhmja europiane nuk do të mund të mendoheshin nëse Shqipëria do të ishte gjendur në një krah tjetër. Vlera më e madhe e antifashizmit në Shqipëri është pikërisht në faktin që shërben e do të shërbejë si themel i një të ardhmeje që e duam të gjithë. Kjo ditë u jep shqiptarëve të drejtën të ndihen në të njëjtën lartësi me popujt e Evropës antifashiste, i jep kuptimin e nderimit shtetëror të qëndresës së ditës së parë. Falë kësaj qëndrese shqiptarët treguan që nuk janë kapitullantë edhe kur gjenden në momente braktisjeje e harrimi. Le të jetë kjo ngjarje që na bashkon edhe një ftesë për të përfituar prej më të mirave tona në histori.” Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin fashist dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.