Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të programit buxhetor afat mesëm 2026-2028, bashkia e Durrësit dhe Këshilli Bashkiak zhvilluan Dëgjesën Publike në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, për katër programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës.
– Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publike për PBA 2026-2028
– Programi i Arsimit Parashkollor dhe Parauniversitar
– Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
– Paketën Fiskale
Dëgjesa Publike u zhvillua në NJ.A Sukth. Në këtë takim kishte një pjesmarrje të gjerë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të komunitetit të Njësive Administrative Sukth dhe Katund i Ri, përfaqësues të grupeve të interesit, përfaqësues të Këshillit Bashkiak, Institucioneve Arsimore, OSHE, Emergjenca Civile, Ujësjellës-Kanalizime, OJF që operojne në këto njësi.
Nënryetarët e Bashkisë së Durrësit, Elio Jani dhe Egert Hoxha, kanë zhvilluar Dëgjesat Publike me banorët e Njësive Administrative Sukth dhe Katund i Ri, për programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës.
Takimin e hapi nënkryetari i Bashkisë, Elio Jani i cili në fjalën e tij ai tha:
Sot jemi në ditën e dytë të zhvillimit të dëgjesave publike për buxhetin e vitit 2025 dhe PBA 2026-2028. Në këto dy Njësi Administrative, ne kemi përfunduar me sukses disa investime por kemi të tjera në proçes, të cilat do të përmënden në këtë prezantim. Në fund të prezantimit të katër programeve, do të bashkëbisedojmë për të dëgjuar kërkesat dhe sugjerimet tuaja.
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e tre programeve buxhetore për PBA 2025-2027, të cilët u prezantuan nga përfaqësuesit e çdo Drejtorie të Bashkisë Durrës.
U prezantuan investimet në infrastrukturë publike dhe rrugore me Buxhetin e vitit 2025 dhe PBA 2026-2028
• Ndërtimin e Shkollës 9 vjecare “Vadardhë”,
• Ndërtimin e Qendrës Shëndetësore Vadardhe,
• Rikonstruksionin e Njësisë Administrative Sukth dhe Katund i Ri,
• Ndërtimi i Qendrës së Strehimit dhe Trajtimit të kafshëve
• Ndërtimin e Kompleksit Sportiv në Katundin e Ri,
• Përmirësimin e infrastrukturës së varrezave,
• Pastrimin e kanaleve kulluese
• Rikonstruksion i rruges “Ylli i kuq dhe Fierza”
• Rikonstruksion i rruges “Paqja”
• Rikonstrksion “Ura Jubë”
• Ndërtimin e rrugëve të fshatit Kullë, Hamallaj Hidrovor, Rrugën Gjergj Meta Rrushkull dhe rrugët në lagjet 1-6 Vardardhë ndërsa në Njësinë e Katundit të ri Rrugën Vau Rrjasës, Lisakëve, Lëvizja e lirë-Domaj dhe rruga Vain.
Pas prezantimit të këtyre programeve, fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë, të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
September 30, 2025