Në vijim të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2026-2028, bashkia e Durrësit dhe Këshilli Bashkiak zhvilluan dëgjesën publike në Njësinë Administrative Nr.5.

Në këtë takim u prezantuan katër prej programeve më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës:

• Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimeve Publike për PBA 2026-2028
• Programi i Arsimit Parashkollor dhe Parauniversitar
• Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
• Paketa Fiskale

Dëgjesa Publike u drejtua nga Nënkryetarët e Bashkisë, Elio Jani dhe Egert Hoxha, si dhe nga përfaqësues të programeve buxhetore.

Takimin e hapi Nënkryetari i Bashkisë, Elio Jani, i cili theksoi:

“Sot zhvillojmë dëgjesën publike për buxhetin e vitit 2025 dhe PBA 2026-2028 për Njësinë Administrative Nr. 5. Do të paraqesim një panoramë të investimeve të realizuara në këtë njësi, si dhe projektet e reja që do të zbatohen në harkun kohor 2026-2028. Në përfundim të prezantimit të katër programeve, do të kemi mundësi të bashkëbisedojmë me qytetarët për të dëgjuar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.”

Pas fjalës hyrëse, dëgjesa vazhdoi me prezantimin e investimeve konkrete në infrastrukturën publike dhe rrugore, të parashikuara me Buxhetin 2025 dhe PBA 2026-2028, ndër të cilat:

• Rikonstruksioni i Rrugës “Adria”
• Rikonstruksioni i Shkollës “B. Curri”
• Rikonstruksioni i Godinës së Banimit “VIKO”
• Rikonstruksioni i sheshit midis pallateve, Rruga “Qafë Botë”, Plazh
• Rikonstruksioni i Rrugës “Xhevdet Hafizi”, Plazh
• Rikonstruksioni i Rrugës “Pjetër Budi”
• Rikonstruksioni i Rrugës “Pallatet e Nish Cigares”, Nishtulla

Në përfundim të prezantimeve, banorët dhe të pranishmit në sallë morën fjalën, duke diskutuar mbi prioritetet e paraqitura dhe duke dhënë mendimet, kërkesat dhe sugjerimet e tyre.