Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako merr pjesë në ceremoninë solemne për 81 vjetorin e çlirimit të Durrësit

Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, zv/kryetarja e këshillit bashkiak, Denisa Luarasi, deputetë të Durrësit, përfaqësues të organizatës së veteranëve të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Në këtë ceremoni e cila filloi me himnin kombëtar, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, si dhe të pranishmit shprehën nderimin dhe mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Durrësit për kontributin dhe heroizmin e atyre që, në emër të lirisë, nuk kursyen as jetën për të arritur ditën e lavdishme të 14 nëntorit 1944, ditën kur Durrësi u çlirua nga pushtuesit nazifashistë.
Në emër të Bashkisë së Durrësit fjalën e rastit e mbajti drejtoresha e arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare, Migena Muhaj e cila deklaroi:
“Është një ditë e veçantë për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë, një ditë që na kujton sakrificën dhe guximin e dhjetëra patriotëve, luftëtarëve të lirisë, të rinj e të reja, që dhanë gjithçka për atdheun.
Ishte pikërisht në këtë qytet ku nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Që prej 7 prillit 1939, Durrësi u bë simbol i qëndresës dhe një ndër qendrat kryesore të lëvizjes çlirimtare. Edhe nën pushtimin më të ashpër, qyteti ynë nuk u përkul, përkundrazi, vijoi luftën dhe shtoi radhët e luftëtarëve të lirisë.
Pas 81 vjetësh, ne jemi krenarë të përkujtojmë këtë ditë historike dhe të shprehim respektin e thellë për qytetarët e Durrësit që u përfshinë në një luftë të drejtë, duke sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Historia e Shqipërisë do t’u jetë mirënjohëse vlerave të antifashizmit të popullit tonë, qendresës e vetëmohimit të vullnetarëve të ushtrisë nacionalçlirimtare. Brezi i luftës i dha popullit shqiptar krenari dhe një të ardhme të lirë sepse e bëri Shqipërinë fitimtare.
Sot, ne u kushtojmë nderimin më të madh atyre që luftuan dhe fituan për të ardhmen e vendit. Nderojmë gjithashtu familjet e dëshmorëve, që mbartën dhimbjen por edhe krenarinë e një sakrifice sublime për atdheun, të familjarëve të tyre.
Kjo ditë nuk është vetëm një kujtesë historike, por edhe një thirrje morale për ne si brez: të ruajmë, të çojmë përpara dhe t’ua përcjellim brezave të rinj vlerat e patriotizmit, të solidaritetit dhe të bashkimit.
Njëkohësisht, ne të gjithëve na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane.”
Në këtë ceremoni e ka marrë fjalën edhe nënkryetari i organizatës kombëtare të veteranëve të LANÇ, Kristaq Prifti, i cili theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si dhe vunë në dukje fakte historike nga kjo luftë dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.