Zhvillohet mbledhja e këshillit bashkiak të Durrësit, miratohen buxheti për vitin 2026 dhe vendime të tjera të rëndësishme
Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e rradhës. Në këtë mbledhje ku mori pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u miratuan të gjitha vendimet e rendit të ditës ku një nga pikat më të rëndësishme ishte miratimi i buxhetit për vitin 2026 dhe miratimi i programit buxhetor afatmesëm 2026-2028. Gjatë prezantimit të buxhetit kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi se me buxhetin e vitit 2026 do të realizohen të tjera punë dhe investime të rëndësishme në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Kryebashkiakja Sako theksoi se në buxhetin e vitit 2026, i cili është 6 % më i lartë se buxheti i vitit 2025, parashikohen investime të shumta në arsim, infrastrukturë, transportin publik, shërbime sociale, rindërtim, shërbimet publike dhe në fusha të tjera. Gjatë mbledhjes se këshillit bashkiak u zgjodhën edhe kryetarja e këtij këshilli, Denisa Luarasi dhe zv/kryetare Joniada Musaraj. Ja vendimet e miratuara:
Për miratimin e kalendarit të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm (pba) për vitet 2027-2029 dhe buxhetit vjetor.
Për miratimin e buxhetit të bashkisë Durrës për vitin 2026 dhe programin buxhetor afatmesem 2026-2028.
Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2026.
Për miratimin e ndihmës financiare me vlerë totale 50’572’489 (pesëdhjetë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e katërqind e tetëdhjetë e nëntë lekë), për likuidimin e plotë të disa familjeve dhe për likuidimin me këst të pjesës tjetër, të dëmtuara nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive të shiut të datave 29.01.2025 – 30.01.2025.
Për miratimin për disa ndryshime në vendimin e këshillit bashkiak nr.05, datë 10.03.2025, “Për miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit prej 400 703.84 (katërqind mijë e shtatëqind e tre, pikë tetëdhjetë e katër) lekë, për pasuritë pronë private, sipas tabelës së hartuar nga grupi i punës, i ngarkuar për kryerjen e vlerësimit paraprak, dhe është pjesë e këtij vendimi, që preken nga investimi publik me objekt: “rikonstruksion rruge në njësinë administrative Ishëm”.
Për miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin Dhjetor 2025.
Për miratimin e listës emërore të familjeve përfituese të programit të kredisë së lehtësuar për strehim me 3% interes.
Për miratimin paraprak të zonave prioritare të zhvillimit në territorin e bashkisë Durrës në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 20/2025, “për paketën e maleve” dhe udhëzimit të Ministrit të Pushtetit Vendor nr. 2, datë 15.10.2025.
Për miratimin e listës emërore të nxënësve të arsimit parauniversitar, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2025-2026.
December 23, 2025


