Qyteti i Durrësit, është një qytet i pasur me site arkeologjike, të cilat janë të vizitueshme përgjatë gjithë vitit si nga turistë vendas ashtu edhe ato të huaj. Megjithatë, Durrësi ka edhe një pasuri arkeologjike nënujore të pa investiguar deri më sot, edhe pse ato përbëjnë një vlerë të shtuar për qytetin tonë. Ndaj, Bashkia Durrës në partneritet me vendet anëtare të Bashkimit Evropian si Italia, Greqia dhe Kroacia, që në Janar të vitit 2018, është në fazën e zbatimit të Projektit APPRODI: From Ancient Maritime Routes to eco-touristic destinations/Nga Rrugët e Lashta Detare në destinacionet eko-turistike, i cili ka si synim investigimin nënujor të siteve arkelogjike, sipas metodave bashkëkohore të kërkimit arkeologjik nënujor. Ky Projekt i cili financohet nga Programi i Bashkimit Evropian Interreg Adrion 2014-2020, është parashikuar të përfundojë në Dhjetor të vitit 2019.
Qëllimi i Projektit
Qëllimi kryesor i Projektit APPRODI është promovimi dhe vlerësimi i trashëgimive kulturore në zonën e ADRION-it duke rritur menaxhimin dhe promovimin e porteve të lashta si destinacione turistike si edhe duke përmirësuar njëkohësisht përfshirjen e komuniteteve lokale. Kështu, ky Projekt, synon të rrisë popullaritetin e siteve dhe porteve të vjetra si destinacione eko-turistike, nëpërmjet krijimit të hartës së përbashkët të trashëgimisë kulturore, forcimit të kapaciteteve për eko-turizmin si edhe një marketingu sa më të mirë ndërkombëtar për promovimin e destinacioneve eko-turistike.
Në nivel lokal, ky Projekt ka si synim investigimin nënujor dhe restaurimin e dy siteve arkelogjike në territorin e Bashkisë Durrës (Currila dhe Kepi i Rodonit). Investigimi nënujor për dy sitet arkeologjike në territorin e Durrësit, do të realizohet me metodat bashkëkohore të kërkimit arkeologjik nënujor (metoda gjeo-arkeologjike). Restaurimi i objekteve të dala nga kërkimi arkeologjik do të bëhet duke përdorur metodat në përputhje me Kartën Shqiptare të Restaurimit dhe rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Realizimi i hartës gjeoarkeologjike për arkeologjinë nënujore do të mundësohet nga rezultatet e këtij kërkimi arkeologjik si dhe nga kërkime/studime të mëparshme të cilat ndodhen në arkivat e Ministrisë së Kulturës apo Institutit të Arkeologjisë. Gjithashtu, është parashikuar që mbas restaurimit, të gjitha gjetjet arkeologjike, do të ekspozohen në Muzeun Arkeologjik, në katin e tretë.
Rezultatet e Projektit do të jenë:
– Zhvillimi i një plani të përbashkët strategjik të veprimit për promovimin e destinacioneve turistike të valorizuara në zonën e ADRION-it;
– Zbatimi i instrumenteve të ngritjes (forcimit) të kapaciteteve, zhvillimit të produkteve/ shërbimeve, marketingut dhe rrjetëzimit;
– Trajnime për profesionistët e sektorit të turizmit dhe të rinjtë e papunësuar si një inkurajim i zhvillimit të biznesit dhe tregtisë bazuar në trashëgiminë kulturore;
– Krijimi i “rrjetit të parë të qytet-porteve të vjetra në zonën e ADRION-it”, me qëllim forcimin e marrëdhënieve midis qyteteve të përfshira nëpërmjet një komuniteti të konsoliduar që do të zgjerohet në portet e tjera ekzistuese antike të vendosura në zonën e ADRION-it dhe duke krijuar gjithashtu një bazë të njohurive për Portet e Vjetra Mesdhetare;
– Nxitjen e ndërveprimit midis grupeve të interesit në fushën e eko-turizmit, siç janë: organet e administratës publike, menaxherët e porteve, aktorët të tjerë lokal privatë /publikë, operatorët tregtarë si edhe vizitorët potencial në mënyrë që të kthejnë portet e vjetra në destinacione turistike të qëndrueshme;
– Krijimi i një platformë të përbashkët online për promovimin e trashëgimisë kulturore, rrjetëzimit të palëve të interesit dhe zhvillimit të përbashkët të projekteve kulturore, si një portal ombrellë për emërtimin e destinacioneve turistike.
Partneriteti:
Universiteti i Teramos, Itali/University of Teramo, Italy
Bashkia e Ortonës, Itali /City of Ortona, Italy
Universiteti i Venecias ‘Ca’ Foscari’, Itali/Ca’ Foscari University of Venice, Italy
Bashkia e Durrësit, Shqipëri/Durrës Municipality, Albania
Komiteti i Kërkimit të Universitetit Jonian, Korfuz, Greqi/Ionian University Research Committee, Corfu, Greece
Bashkia e Korfuzit, Greqi/City of Corfu, Greece
Agjensia e Zhvillimit Dura, Bashkia e Dubronikut, Kroaci/City of Dubrovnik Development Agency DURA, Croatia
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Durrës, Shqipëri/Regional Directorate of National Culture, Durrës, Albania
Kohëzgjatja:
01.01.2018 – 31.12.2019
December 29, 2018