Qendra është krijuar në vitin 2016, nga një bashkëpunim i Bashkisë Durrës me organizatat Save the Children dhe “Ndihmoni Jetën”, të cilat vazhdojnë të mbështesin aktivitetin e Qendrës. 

Qendra ofron shërbime me bazë komunitare për fëmijë me aftësi të kufizuar të grupmoshës 2-21 vjec, me synim arritjen e gjithëpërfshirjes së tyre në kopshte, shkolla dhe komunitet, duke punuar jo vetëm me fëmijët por duke mbështetur të gjithë familjen. 

Shërbimet që Qendra ofron janë:

I. Shërbime direkte për fëmijët me aftësi të kufizuara. 

Me fëmijët punohet në fushën e sjelljes, komunikimit, autonomisë, edukimit, aftësive akademike dhe motorikës. Planet individuale të ndërhyrjes hartohen dhe rishikohen nga ekipi multidisiplinar i përbërë nga psikolog, logoped, fizioterapist, punonjës social, terapist zhvillimi dhe terapist okupacional. 

II. Aftësimin e familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, për të punuar me fëmijen dhe për të advokuar për gjithëpërfshirjen e fëmijeve të tyre në arsim dhe komunitet. 

Qendra është e vetmja në Durrës që ofron këtë model shërbimi publik, ku e gjithë familja është përfituese shërbimesh. Prindërit informohen në lidhje me problematikat e fëmijëve, si ti ndihmojnë në zhvillim në kushte shtëpie, legjislacionin, të drejtat etj. Ata pajisen edhe me programe pune me fëmijën që mund ta zbatojnë në shtëpi.

Janë krijuar edhe grupe vetë-ndihme me motra dhe vëllezër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët mblidhen cdo muaj me psikologen e qendrës dhe ndajnë emocionet, ndjesitë dhe përvojat e përbashkëta

III. Ndërgjegjësimin e komunitetit për të mbështetur gjithëpërfshirjen e fëmijeve me aftësi të kufizuara. 

Qendra organizon një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, për të ndarë në komunitet mesazhin e gjithëpërfshirjes dhe jetesës së pavarur. 

Shërbimet që ofrohen në këtë Qendër ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së përfituesve dhe komunitetit në të cilin ata jetojnë. Fëmijët me aftësi të kufizuara, që përfitojnë sesione terapie, rritin ndjeshëm aftësitë e tyre komunikuese, përmirësohen në fushën e autonomisë personale, drejt jetesës së pavarur, përmirësojnë sjelljen problematike dhe bëhen më socialë në komunitet.

Gjithashtu, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe motrat e vëllezërit e tyre, marrin informacion të vazhdueshëm se si të menaxhojnë sjelljet problematike të fëmijëve në shtëpi dhe si të kontribuojnë në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës familjare.

Kontaktet:

Adresa: Lagjia 17, Rruga “Dalip Peza”, Banesat sociale (me qera), Durrës

Telefon: 052 201845

Fb: Qendra komunitare per femije me aftesi te kufizuara, Bashkia Durres