Ka nisur aktiviteti më i rëndësishëm kushtuar artit pamor bashkëkohor në Durrës, por edhe në Shqipëri, Edicioni i Parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit e kuruar nga kuratori dhe historiani i artit Ph.D. Oltsen Gripshi. Ky event i cili vijon deri në 24 nëntor bën bashkë 17 Pavijone Kombëtare dhe 40 artistë nga Shqipëria, SHBA, Italia, Finlanda, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Bregu i Fildishtë, Kina, Kosova, Argjentina, Turqia, Suedia, Zvicra, Peruja, Rumania, Republika Domenikane dhe Tajvani.
Pavijonet Kombëtare të shteteve pjesëmarrëse ekspozohen në hapësirat e disa prej institucioneve më ikonike të qytetit të Durrësit si: Bashkia Durrës, Prefektura e Qarkut Durrës, Teatri “Aleksandër Moisiu”, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, Biblioteka Publike, Mauzoleu i Dëshmorëve, Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, si dhe në disa prej objekteve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore si: Amfiteatri Romak, Kulla Veneciane, Forumi Bizantin dhe Hamami Mesjetar. Kjo si një mënyrë për të njohur e promovuar vetë qytetin në aspektin turistik falë artit bashkëkohor përgjatë gjithë kohëzgjatjes së Bienales Ndëkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit.
Të gjithë artistët pjesëmarrës interpretojnë temën: Ineteligjenca artificiale: e ardhmja hibride. Një qasje, e cila jo vetëm nxit imagjinatën e artistit krijues bashkëkohor, por evidenton edhe algoritmin e vetë ekzistencës që qenies njerëzore në teh midis racionales dhe irracionales, reales dhe surreales.
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit nuk është thjesht një ekspozitë, por një rrugëtim nëpër shtigjet e botëkuptimeve të artistëve krijues dhe një kalendari të pasur didaktik të shtrirë përgjatë gjithë kohëzgjatjes së saj në dy muaj, një simbiozë interesante mes artit, antikitetit, historisë, të tashmes dhe të ardhmes së ndikuar nga zhvillimi i pandalshëm i teknologjisë. Kjo bienale është një event i rëndësishëm kulturor ndërkombëtar që shërben edhe për promovimin e qytetit në aspektin turistik falë artit bashkëkohor.
October 7, 2024