Prezantimi dhe konsultimi publik i Planit të Zhvillimit Urban të Durrësit

Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Bankën Botërore, në kuadër të projektit LAMP II Për menaxhimin dhe Administrimin e Tokës, ka realizuar projektin: “Përgatitja e Planit të Zhvillimit Urban dhe Rregulloret për Qytetin e Durrësit”. Në përmbushje të detyrimit për prezantimin dhe konsultimin publik, bazuar në ligjin e ri të urbanistikës Nr. 10119 “Për Planifikimin e Territorit”, kompania konsulente në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit dhe grupet e interesit, ka planifikuar që duke filluar nga data 22 prill 2012 për një periudhë dy mujore, të afishojë hartat e projektit pranë ambjenteve të Galerisë së qytetit. Kjo ftesë publike është për të gjithë të interesuarit, grupet e interesit, profesionistë, punonjës të administratës apo cdo banor, për tu njohur me dokumentacionin hartografik që përmban zonimin dhe zhvillimin perspektiv të qytetit dhe që me kontributin e tij (komente, sugjerime), të mund të kontribuojë në realizimin e një produkti përfundimtar sa më bashkëkohor. Të bindur në rëndësinë e këtij procesi dhe të vetëdijshëm për rolin e mendimit publik(i cili do të regjistrohet pranë vendit të afishimit të hartave dhe do të reflektohet në Plan), shpresojmë në një pjesëmarrje sa më aktive nga ana e të gjithëve si një kontribut pozitiv në këtë fazë finale të hartimit të Planit të Zhvillimit Urban për qytetin tonë.