Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend me një popullsi prej 200,000 banorësh, porti kryesor dhe një nga destinacionet turistike më popullore (turizëm detar dhe kulturor). Rritja e popullsisë (e dyfishuar që nga viti 1992), rritja ekonomike, përmirësimi i standarteve të jetesës, dhe zhvillimi i turizmit kanë rritur shkallën e konsumimit dhe si rrjedhim shkallën e gjenerimit të mbetjeve dhe vëllimin e tyre.
Qyteti grumbullon dhe transporton mbetjet me anë të dy ndërmarrjeve të tij komunale. Qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto Romano (që është vendhedhje për nga standartet), e cila është hapur që në fillim të viteve 90 dhe që është parashikuar të ketë jetëgjatësi për 25 vjet (2015). Kostot për menaxhimin e mbetjeve (pastrimi, grumbullimi, transporti dhe asgjesimi) mbulohen nga buxheti i bashkisë.
Për Durrësin është prioritet adresimi dhe zgjidhja e çështjes së menaxhimit të mbetjeve të ngurta në mënyrë të përballueshme, të qëndrueshme dhe të sigurt nga ana mjedisore. Për këtë arsye, Durrësi ka vendosur që të bëjë hapat e parë për përmirësimin e shërbimeve të tij të menaxhimit të mbetjeve duke përgatitur një Plan Lokal për Menaxhimin e Mbetjeve.
Për këtë qëllim, Bashkia e Durrësit është mbështetur nga ekipi i IFC* (shikoni Shënimin në fund të këtij seksioni) për të përgatitur PLMM e tij. Ekipi i konsulentëve të IFC ka kryer vëzhgime të operacioneve të menaxhimit të mbetjeve në Durrës duke vizituar pikat e grumbullimit të mbetjeve e vendet e asgjesimit, ka ekzaminuar paisjet e përdorura si edhe ka marrë në intervista qytetarët dhe aktorët përkatës.
Gjatë përgatitjes së PLMM, Bashkia e Durrësit (Drejtoritë përkatëse të bashkisë dhe Ndërmarrjet e Shërbimeve Komunale) ka kontribuar me ofrimin e të dhënave, organizimin e disa takimeve dhe të një tryeze të rrumbullakët (16 Shkurt 2010), me aktorët e interesuar përkatës (institucionet publike, komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, përfaqësues të bashkisë) për të arritur vizionin e përbashkët, synimet dhe objektivat për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve për një periudhë 15 vjeçare (2010-2025).
Objektivi i këtij PLMM është vetëm Bashkia e Durrësit dhe ky PLMM analizon situatën aktuale të menaxhimit të mbetjeve urbane në qytet (organizimi, administrimi, rregulloret, financat, operimi dhe menaxhimi), identifikon çështjet dhe mangësitë, vlerëson pikat e forta dhe të dobta, propozon rekomandime për përmirësime dhe përcakton vizione, qëllime dhe objektiva të reja (afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata) si edhe ka hartuar një Plan Veprimi ku përcaktohen afatet kohore, kostot, autoritetet përgjegjëse si edhe indikatorët respektivë të suksesit për qëllime monitorimi.
Ky PLMM nuk trajton strategjinë e Durrësit për menaxhimin e mbetjeve jo urbane, duke përfshirë këtu mbetjet e rrezikshme, ato nga ndërtimet dhe mbetjet portuale. Kjo fushë e menaxhimit të mbetjeve duhet të trajtohet në strategjitë dhe planet e njësive që janë përgjegjëse për këto rryma mbetjesh dhe duhen bashkëngjitur si Anekse tek PLMM në përditësimet e ardhshme.
Shkarko te plote planin ne formatin pdf.
June 19, 2014