Është zhvilluar dëgjesa publike në lidhje me “Projektin e restaurimit dhe rikualifikimit urban të zonës së ardhshme TID Durrës”, e cila ndodhet brenda zonës arkeologjike A në qytetin e Durrësit. Në këtë dëgjesë merrnin pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ministrja e kulturës Elva Margariti, përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim(AADF), arkitektë, anëtarë të këshillit bashkiak, qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve të zonës. Zona e ndërhyrjes është rreth 8 ha. Ky projekt shton vlerën e objekteve kryesore me interes në zonë: Amfiteatri Antik, shtëpia e Aleksandër Moisiut, Xhamia, Hamami dhe muret rrethuese të Kalasë duke e kthyer të gjithë zonën TID në një tërheqje turistike të fuqishme. Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj deklaroi se: “Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Durrësit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për hartimin e një vizioni të ri për Durrësin, për këtë qytet me potencial të jashtëzakonshëm, me një amfiteatër që është jo vetëm  guri i çmuar i qytetit,  monumenti publik unikal,  por është dhe objekti më i madh i kësaj natyre, i ndërtuar në gadishullin e Ballkanit. Objektivi kryesor i këtij projekti është ti japë vitalitet të ri zonës së qendrës historike. Qyteti i Durrësit ka pasur një zhvillim në konceptin e akupunkturës dhe kryesisht të rigjenerimit urban, infrastrukturës në rrugë, ujësjellësa, në sheshe urbane. Krahas rindërtimit kemi në fokus primar projektet e mëdha të trashëgimisë kulturore. Durrësi është qytet që ka asete të rëndësishme që përbëjnë një potencial shumë të madh turistik kombëtar e ndërkombëtar. Në këtë kuadër një ndihmesë të madhe po jep BE me projektin EU4Culture i cili ka përzgjedhur disa objekte të cilat do të rikonstruktohen, rivitalizohen si dhe do të futen ne guida ndërkombëtare si Hamami; Muzeu Arkeologjik; Banesa e “A. Moisiu”-Muzeu Etnografik; Kulla veneciane, Kisha e Shën Marisë në Kepin e Rodonit etj. E gjithë kjo punë dhe fokusimi për trashëgiminë kulturore të qytetit tonë do te sjellë impakt pozitiv te zhvillimit të turizmit gjithëvjetor  i cili është synim kryesor dhe vizioni ynë për të promovuar qytetin nëpërmjet kulturës.” Më pas arkitektët kanë shpjeguar me detaje projektin i cili ka një rëndësi shumë të madhe përsa i përket vlerave të trashëgimisë kulturore por edhe të zhvillimit të turizmit në Durrës.