Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen  e  rradhës  në  sallën  e  qendrës  kulturore  “Aleksandër Moisiu” duke  zbatuar  protokollin  e  sigurisë së institucionit, për masat  e  marra  kundër  Covid –19, sipas  udhëzimeve  të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në këtë mbledhje ku mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako janë miratuar të gjitha vendimet e rendit të ditës ku një nga pikat më të rëndësishme ishte edhe miratimi i buxhetit për vitin 2022. Kryebashkiakja Sako ka prezantuar përpara të pranishmëve këtë buxhet duke u ndalur në disa prioritete.

Buxheti i vitit 2022 do të jetë  3. 68 miliard lekë, 20% më shumë se viti 2021. Bashkia e Durrësit ka zhvilluar 5 dëgjesa publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2022-2024 me anë të të cilave janë marrë edhe mendimet e qytetarëve për ti reflektuar në buxhet. Prioritetet për vitin 2022 përveç procesit të rindërtimit do të jenë menaxhimi i mbetjeve, arsimi, infrastruktura rrugore dhe ndriçimi si dhe turizmi.

Buxheti  për menaxhimin e mbetjeve do të jetë 104 % më shumë se viti 2021 dhe zë 28% te buxhetit të bashkisë. Me anë të këtij buxheti më shumë se të dyfishuar do të rinovohet flota e automjeteve të pastrimit, do të shtohet numri i konteinerëve si dhe do të punësohen punonjës shtesë sezonalë gjatë sezonit turistik. Në sajë të një menaxhimi më të mirë të mbetjeve në vitin e ardhshëm Durrësi do të jetë një qytet i pastër gjë që jep një impakt pozitiv edhe për turizmin.

Buxheti për arsimin zë 14% të buxhetit total. Me fondet nga të ardhurat e Bashkisë brenda vitit 2024 do të jenë të përfunduara 2 godina të reja shkollash 9 vjecare, 1 godinë të re shkollë fillore, 2 shkolla 9 vjecare të rikonstruktuara , Qendrën Kulturore të Fëmijëve të rikonstruktuar, si dhe 2 shkolla të mesme te rikonstruktuara, pra në total 8 institucione arsimore. Po kështu numri i kopshteve me ushqim nga 9 do të rritet në 15. Në vitin 2022, 2500 studentëve të UAMD që i përkasin kategorisë së familjeve në nevojë  dhe studentëve ekselentë  do t’u jepet Karta e Studentit.

Në lidhje me infrastrukturën gjatë vitit të ardhshëm do të rikonstruktohen disa rrugë, ndërsa për të parandaluar përmbytjet do të kryhet pastrimi i kanaleve të ujrave të bardha në zonën e Plazhit, ndërtim rrjeti KUB dhe KUZ për investimet që do të realizohen dhe sistemim KUB në rrugën Taulantia. Do të kryhet rikonstruksion i ndriçimit të 16 rrugëve si dhe do të vendosen kamera sigurie në hapësirat publike të qytetit për të shtuar nivelin e sigurisë. Po kështu do të kryhet rikonstruksion fasadash dhe veshje me kapotë i disa blloqeve të pallateve me qëllim eficiencën e energjisë.

Edhe në fushën e turizmit do të kryhen një sërë investimesh të rëndësishme në sinjalistikën turistike dhe në promovimin e trashëgimisë kulturore e historike të Durrësit në arenën ndërkombëtare. Përveç investimeve me buxhetin e bashkisë një sërë projektesh të përbashkëta me qeverinë shqiptare dhe BE do të sjellë rivitalizimin e trashëgimisë kulturore të qytetit gjë që i jep një tjetër hov zhvillimit turistik të Durrësit.

Përveç buxhetit këshilli bashkiak ka miratuar edhe vendime të tjera të rëndësishme. Ja të gjitha vendimet e miratuara:

– Për miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin Dhjetor 2021.

– Për miratimin e buxhetit të bashkisë Durrës për vitin 2022, si dhe projektbuxhetin afatmesëm të bashkisë Durrës për vitet 2022-2024.

– Mbi miratimin e kalendarit të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm (pba) për vitet 2023-2025 dhe buxhetit vjetor.

– Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2022.

– Për miratimin e planit social 2021-2024, të bashkisë Durrës.

– Për miratimin e listës emërore të nxënësve të arsimit profesional dhe konvikteve të shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” dhe shkollës së mesme teknologjike “Hysen Çela”, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2021-2022.

– Për miratimin e listës emërore të nxënësve të arsimit parauniversitar si dhe konviktit të shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhia”, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2021-2022.

– Për ndryshimin dhe detajimin e pikës dy të vendimit të këshillit bashkiak nr.575 datë 20.12.2018 “për ndryshimin dhe disa shtesa në vendimin e këshillit bashkiak nr.60 datë 22.12.2005 “për miratimin e krijimit të vendodhjeve të reja të vendqëndrimeve taksi (4+1) dhe (8+1) në qytetin e Durrësit” dhe miratimin e kritereve shtesë për operatorët taksi, që kryejnë shërbimin taksi në transportin rrugor të udhëtarëve.

– Për miratimin e ndryshimit të vkb nr.55, datë 26.06.2020, nr.64, datë 07.07.2020, nr.81, datë 10.08.2020, nr.11, datë 04.02.2021 përsa i përket ndryshimit të listave emërore të familjeve përfituese të grantit për rikonstruksionin ose riparimin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për shkak të ndryshimit të kategorisë së dëmit të shkaktuar në zbatim të ekspertizave të thelluara të Institutit të Ndërtimit.

– Për miratimin e listës së tetë të 25 subjekteve përfituese, të cilët do të përfitojnë masën e grantit të rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, sipas projektit model.