Kryetarja e Bashkisë së Durrësit ka bërë betimin në mbledhjen e këshillit e bashkiak. Kjo mbledhje është zhvilluar në sallën e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”. Pasi ka bërë betimin në fjalën e saj përshëndetëse kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako deklaroi: “Falenderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët e Durrësit për besimin e dhënë për të vazhduar punën në shërbim të qytetit dhe qytetarëve. Për mua është nje përgjegjësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm drejtimi i Bashkisë së Durrësit. Kam detyrimin ti shkoj deri në fund të gjitha angazhimeve që kemi marrë përpara qytetarëve. Jam krenare që të gjithë së bashku do të jemi pjesë e transformimit të qytetit, kjo falë edhe vizionit të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama. Prioriteti im mbetet procesi i rindërtimit, sic ka qenë edhe fokusi i këtyre dy viteve. Falenderoj edhe kryesinë e PS, kryetarin e këshillit bashkiak si dhe të gjithë anëtarët e këtij këshilli që kanë mbështetur Bashkinë e Durrësit dhe mua ne drejtimin e saj.”

Më tej këshilli bashkiak ka vijuar mbledhjen me pikat e rendit të ditës. Këto janë të gjitha vendimet e miratuara në këtë mbledhje:

-Për miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin mars 2022.

-Për miratimin e ndryshimit të vkb nr.15, datë 22.02.2021, vkb nr.50, datë 14.04.2021, vkb nr.55, datë 26.06.2020, vkb nr.64, datë 07.07.2020, vkb nr.67, datë 14.07.2020, vkb nr.71, datë 20.07.2020, vkb nr.78, datë 10.08.2020, vkb nr.81, datë 10.08.2020, vkb nr.115, datë 30.09.2020, përsa i përket ndryshimit të listave emërore të familjeve përfituese të grantit për rikonstruksionin ose riparimin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për shkak të ndryshimit të kategorisë së dëmit.

-Për ngritjen e shërbimeve me bazë komunitare pranë qendrës komunitare multifunksionale në njësinë administrative Rrashbull, Durrës.

-Për miratimin e ndryshimit të aneksit nr.2, 4, 5, të vkb-së nr.74, datë 24.07.2020 “për miratimin e listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative nr.1, 3, 4, 6, Sukth dhe Ishëm, bashkia Durrës” përsa i përket ndryshimit të listave emërore të familjeve përfituese të grantit të rindërtimit për banesat e dëmtuara si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për shkak të ndryshimit të kategorisë së dëmit.

-Për miratimin e raportit mbi monitorimin e zbatimit të buxhetit të bashkisë Durrës për vitin 2021.

-Për miratimin e përdorimit të fondeve të trashëguara nga viti 2021, të cilat i shtohen buxhetit të vitit 2022 të bashkisë Durrës.