Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje jashtë rradhe. Në këtë mbledhje ku merrte pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako janë miratuar disa vendime të rëndësishme:

  • Për miratimin e disa shtesave në aneksin nr. 1, bashkëlidhur vendimit të këshillit bashkiak nr. 32, datë 26.03.2021, “për miratimin e listës së përfituesve nga programi i proçesit të rindërtimit për 4 banesa kolektive, l.17, rruga “Lura”, pallatet nr.1&3, dhe rruga “Ahmet Dakli”, pallatet nr.15&23, të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019” i ndryshuar.
  • Për miratimin e përdorimit të fondit prej 3.000.000 (tremilion) lekë për objektin “studim projektimi parku urban Spitallë”, nga fondi rezervë i bashkisë Durrës.
  • Për miratimin e një shtese në aneksin 1, pjesë përbërëse e vendimit të këshillit bashkiak nr. 77, datë 28.06.2021, i ndryshuar, përsa i përket listës së përfituesve nga programi i proçesit të rindërtimit për pallatin nr.3,5,7, rruga “Bashkimi”, pallati nr.1, rruga “Demokracia”, pallati nr. 2/1, rruga “Progresit”, pallati nr. 6, rruga “Milleniumi” dhe pallati nr. 4, rruga “Minierës”, në njësinë administrative Manëz, të dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.
  • Për miratimin e listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative nr. 5, 6, Rrashbull, Katund i Ri dhe Manëz bashkia Durrës, që do të përfitojnë nga programi i proçesit të rindërtimit për banesat individuale të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.
  • Për miratimin e përdorimit të fondit prej 290.358.720 lekë për investimin me objektin “rehabilitimi i zonës që preket nga zgjerimi territorial i varrezave të qytetit të Durrësit”.
  • Për miratimin e një shtese në aneksin 1, të vendimit të këshillit bashkiak nr. 28, datë 05.03.2021, i ndryshuar “për miratimin e listës së përfituesve, që do të përfitojnë nga programi i proçesit të rindërtimit për pallatin nr.458, rruga “Bajram Tusha”, i dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019”.

Në këtë mbledhje kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako sqaroi me hollësi dy nga vendimet që u miratuan lidhur me investimin që do të fillojnë së shpejti për rehabilitimin e territorit ku do të zgjerohen varrezat e qytetit si dhe projektin për ndërtimin e një parku urban në zonën e Spitallës: “Në lidhje me vendimin që u miratua për fondin e rehabilitimit të zonës ku do të zgjerohet territori i varrezave të reja mund t’ju them se ne e kemi përfunduar procesin e shpronësimit dhe kemi përfunduar edhe projektin për realizmin e ndërhyrjes rehabilituese të kësaj zone. Do të zbatojmë VKM e vitit 2014 për varrezat publike dhe mënyra si projektohen ato. Është një sipërfaqe prej 44 190 metër katror. Territori i ri do të sistemohet me rrugë kalimi, gjelbërim dhe të gjithë infrastrukturën përkatëse. Një vendim tjetër i rëndësishëm që u miratua është edhe fondi për projektin e rehabilitimit të hapësirës që u përfitua nga mbyllja e kanalit të ujërave të larta të Spitallës. Në të gjithë këtë sipërfaqe ne parashikojmë ndërtimin e një parku urban me rrugë, korsi biçikletash, fusha sportive dhe kënde lojërash për fëmijë.