Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, u zhvillua Dëgjesa Publike me Njësinë Administrative Nr.3 dhe lagjen 18 për katër programet më krysore  të buxhetit të Bashkisë Durrës si:

-Programi i Paketës Fiskale,

-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik

-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar

-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social

Në këtë takim ishin të pranishëm banorë të këtyre zonave, përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF, grupet këshillimore si dhe komisione të Këshilit Bashkiak.

Në fjalën e saj kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako deklaroi se organizimi i Dëgjesave Publike, përveçse detyrim ligjor, ajo që është më e rëndësishme është se na ndihmojnë që të prekim nga afër shqetesimet e qytetarëve:

“Sot do të prezantojmë projektet më të rëndësishme për zonat tuaja. Jemi përpjekur ti reflektojmë në buxhet, të gjitha shqetësimet që na kanë ardhur nga Njesitë Administrative.Në zonat tuaja investimet kanë qenë disa si projekti i masterplanit të ndriçimit, ku kemi përfshirë 13 akse rrugore, 80% e të cilit ka përfunduar, ndriçim me led, konsumi i të cilëve është i ulët.Po kryejmë rehabilitimin e fasadave dhe termoizolimit të tyre si dhe të tarracave duke hequr prej tyre edhe depozitat e ujit. Sot që ne flasim, lagja Nr 18, ka pësuar një ndryshim të madh. 24 pallate janë në proçes pune. Do të fillojnë edhe 17 pallate për realizimin e termoizolimit dhe rritjes së efiçensës së energjisë, duke ulur më shumë konsumin e energjisë elektrike.Janë marrë në konsideratë kërkesat e qytetarëve për hapësira publike dhe hapësira sportive. Në lagjen 18, do të  ndërtohet një terren sportiv miks për të rinjtë  e qytetit, ish fusha e rërës, e quajtur tashmë “Vala Park”, është një projekt që do ti shërbejë gjithë qytetit dhe do të përfundojë brenda 4 muajve.Në lagjen Nr.17 si dhe tek Mauzoleumi i Dëshmorëve, i kemi kthyer hapësirat publike qytetareve, të cilat ishin të zëna në mënyrë abuzive. Po punohet për rehabilitimin e tyre, për ti kthyer në lulishte. Këto do të jenë hapësira publike për qytetaret dhe në funksion të tyre. Kemi një projekt për ndërtimin e një Biblioteke tek Mauzoleumi i Dëshmoreve.”

Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e katër programeve buxhetore për PBA 2023-2025, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të  Bashkisë Durrës. Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.