Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen  e  rradhës. Në këtë mbledhje ku mori pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u miratuan të gjitha vendimet e rendit të ditës ku një nga pikat më të rëndësishme ishte miratimi i buxhetit për vitin 2023 dhe miratimi i programit buxhetor afatmesëm 2023-2025. Ja vendimet e miratuara:

Për miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin dhjetor 2022.

Për miratimin e kalendarit të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm (pba) për vitet 2024-2026 dhe buxhetit vjetor.

Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2023.

Për miratimin e programit buxhetor afatmesem 2023-2025 dhe detajimin e buxhetit të bashkisë Durrës për vitin 2023.

Për miratimin e planit vendor të veprimit për barazinë gjinore 2023-2025 në bashkinë Durrës.

Për miratimin e listës emërore të nxënësve të arsimit parauniversitar si dhe konviktit të shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhia”, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2022-2023.

Për miratimin e listës emërore të nxënësve të arsimit profesional dhe konvikteve të shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” dhe shkollës së mesme teknologjike “Hysen Çela”, që plotësojnë kriteret ligjore për përfitimin e bursave dhe pagesave për vitin shkollor 2022-2023.

Për miratimin e disa shtesave në aneksin 1 bashkëlidhur vendimit të këshillit bashkiak nr. 71, datë 12.07.2022, përsa i përket listës së përfituesve nga programi i proçesit të rindërtimit në njësinë administrative nr.4, pallatin nr.8, rruga “Telat Noga”, i dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Për miratimin e listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative nr. 1,4,5, Rrashbull, Sukth, Katund i Ri, bashkia Durrës, që do të përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit për banesat individuale të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Për miratimin e listës së 29 familjeve përfituese të subvencionimit të qirasë, të mbetura të pastreha, si pasojë e shembjes së banesave të tyre, shkaktuar nga prishja e detyruar, sipas ekspertizave të thelluara, hartuar nga Instituti i Ndërtimit Tiranë.

Për miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit prej 23’300’242.8 (njëzetëetremilion e treqindmijë e dyqind e dyzetë e dy e tetë ) lekë, për pasuritë pronë private, sipas tabelës së hartuar nga grupi i punës, i ngarkuar për kryerjen e vlerësimit paraprak, dhe është pjesë e këtij vendimi, që preken nga investimi publik me objekt: “rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Portoromanos – kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, faza e parë”.