Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026, bashkia e Durrësit zhvilloi Dëgjesën Publike me Njësitë Administrative Nr.4 dhe Nr.6 për tre programet më krysore të buxhetit të Bashkisë Durrës si:
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimeve Publike
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim morën pjesë banorë të Njësive Administrative Nr. 4 dhe Nr. 6, përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF, grupet këshillimore si dhe komisione të Këshillit Bashkiak.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako e cila deklaroi se: “Këto njësi ku përfshihen zonat e Durrësit të Ri dhe zona e Spitallës, dy vitet e fundit kanë qenë prioritet për Bashkinë Durrës, përsa i përket investimeve, jo vetëm në programin e rindërtimit, ku kemi bërë të mundur ndërtimin e objekteve arsimore, rehabilitimin dhe ndërhyrjet në banesat e dëmtuara nga tërmeti, i cili është një proces që nuk ka perfunduar akoma, por dhe shumë investime në infrastrukturë rrugore, ndriçim, kanalizime. Ne sot do flasim për investimet që kemi bërë dhe për ato që do të bëjmë, dhe kryesorja të degjojmë shqetësimet dhe kërkesat tuaja se ku do të fokusohemi në të ardhmen.”
Më tej kryebashkiakja Sako theksoi: “Dua të përmend disa nga punët e realizuara në këto dy zona. Në fakt, Spitalla ka pasur prioritetin, të paktën këto dy vitet e fundit, kemi bërë të mundur që shumë investime nga qeveria shqiptare të vijnë në këtë zonë, ku kemi rehabilituar shume akse rrugore, si rruga “Ferit Vokopola, me FSHZH, rruga “Celo Tirana” ; rruga “Drita”, “Dy Batot” “Myftiu” me FSHZH, “Princ Vidi”, rruga “Egnatius”, “Integrimi”, rruga “Miqësia” e cila është nje aks shumë i rëndësishëm. Ju e keni parë vetë impaktin e realizimit të investimit në këtë rrugë, pasi ka qenë një rrugë pa asnjë standart dhe siguri. Sot është bërë porta hyrëse e qytetit. Në projektin e madh që kemi për realizimin e unazave të qytetit, një nga pikat do të jetë pikërisht unaza e jashtme e qytetit të Durrësit, prandaj kemi pasur një investim shumë të rëndësishëm për komunitetin. Kjo rrugë, do të shërbejë njëkohësisht dhe si aks komunikimi. Investime të tjera janë rruga “Kashta e Kumtrit”, rruga “Shekspiri”, “Traktati i Natos”, “Xhanfize Keko”, “Punishtja Tumanes” “Manskuri”, rruga “A.Goga” rehabilitimi ka përfunduar, para disa muajsh, rruga “Dardanija”dhe rruga “Kakavija”. Keto investime janë të realizuara brenda një periudhe kohore 2 vjeçare. Në infrastrukturën rrugore do të vazhdojmë me projekte të tjera.
Po kështu kemi bërë të mundur mbylljen e kanalit të ujrave të larta 1,3km. Jemi në fazën e hartimit të projektit të detajuar. Kemi në proçes pune, Qëndrën Shëndetësore Spitallë. Investime të rëndësishme publike janë Ekoparku si dhe hidrovori ku do të kemi një sistem më të sigurt të largimit të ujrave të shiut gjatë sezonit të reshjeve. Kemi sitin e ri të spitallës që do t’i shërbejë komunitetit, të gjithë atyre që kanë humbur banesat nga tërmeti i vitit 2019.
Në zonën e Durrësit të Ri, pranë Universitetit, kemi planifikuar të ndërtohet shkolla “Akademia Manchester City”. Ky nuk është një projekt utopik, Bashkia e Durrësit ka një marrëveshje konkrete me Ministrinë e Arsimit, nga ana tjeter, qeveria shqiptare po përgatit gjithë dokumentacionin për kalimin e pronësisë dhe brenda vitit 2024, do të fillojë puna për ndërtimin e kësaj shkolle, që do ti shërbejë jo vetëm komunitetit të Durrësit, por gjithë Shqipërisë, por mendoj që kjo shkollë do të ketë të drejtën ekskluzive në të gjithë rajonin.
Kemi realizime të investimeve në arsim, si shkolla “Neim Babameto”, kopshti i shkollës që e kemi bërë me ushqim (drekë), për rreth 60 fëmijë dhe do të punojmë për të shtuar kapacitetet.
Në të dyja këto zona, problemi i kanalizimeve zë vëndin e parë. Kemi punuar për furnizimin me ujë të pijshem.Te dyja këto zona kanë një projekt të rëndësishëm, një projekt të përfunduar nga Ujësjellës Kanalizimeve për zonën e Spitallës, Porto Romanos, Shkozetit, Durrësit të Ri. Po bëhet një analizë financiare dhe do të fillohet nga puna që të mos ketë asnjë lloj problematike përsa i përket kanalizimeve.
Në zonën e Durrësit të Ri, gjithashtu kemi bërë investime në infrastrukturë rrugore, si rruga “Shkumbini”, “Drenica”, “Fushëkuqja”. Kjo zonë ka marrë prioritet dhe për vendosjen e ndriçimit, sepse banorët shpesh janë ankuar për mungesën e ndriçimit, prandaj ne realizuam ndriçimin e 10 akseve rrugore. Njëkohësisht do të bëjmë të mundur dhe shtimin e koshave të mbeturinave në këtë zonë sepse është dhe kërkesë e komunitetit të zonës së Durrësit të Ri.”
Në përfundim, kryebashkiakja Sako tha se ne i kemi marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat e njësisë suaj dhe presim sot një bashkëbisedim të hapur me ju për kërkesat dhe nevojat tuaja me immediate, duke dëgjuar fjalën tuaj.
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e programeve buxhetore për PBA 2024-2026, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës .
Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.