Bashkia e Durrësit, e angazhuar në promovimin e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit, si dhe e udhëhequr nga vizioni për ta shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme kulturore, turistike dhe sportive, shpall Thirrjen për Projekte për vitin 2026.

Nëpërmjet kësaj thirrjeje, Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare, synon të nxisë dhe të mbështesë realizimin e projekteve cilësore në fushën e artit, kulturës dhe sportit, duke krijuar një mjedis profesional, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për komunitetin artistik, kulturor dhe sportiv.

Qëllimi dhe Prioritetet:

Qëllimi i kësaj thirrje është gjallërimi i jetës artistike, kulturore dhe sportive të qytetit, rritja e pjesëmarrjes qytetare dhe nxitja e zhvillimit ekonomik vendor, duke kontribuar në forcimin e identitetit kulturor dhe dinamizmit urban të Durrësit.

Prioritet do t’u jepet projekteve që:

  • nxisin krijimtarinë artistike dhe kulturore;
  • promovojnë vlerat dhe traditat e trashëgimisë kulturore;
  • ndërthurin artin bashkëkohor me trashëgiminë kulturore;
  • zhvillojnë aktivitete sportive që inkurajojnë aktivitetin fizik, përfshirjen sociale dhe jetën sportive në komunitet.

Kush mund të aplikojë?

Thirrja është e hapur për:

  • Persona juridikë të regjistruar si OJF.
  • Individë dhe persona fizikë të regjistruar në QKB, të cilët kanë si objekt promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.

Afati i Aplikimit:

Thirrja do të qëndrojë e hapur deri më 28 Shkurt 2026. Periudha e realizimit të projekteve do të jetë nga Marsi deri Dhjetor 2026.

Mënyra e Aplikimit:

Projekt-propozimet tuaja duhet të adresohen pranë Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Komunitetit Fetar, në Bashkinë Durrës.

Dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet në zarf të mbyllur tek Zyra e Informacionit të Bashkisë Durrës.

Elektronikisht në adresën info@durres.gov.al

Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni udhëzimit dhe anekseve të këtij njoftimi ose kontaktoni Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Komuniteteve Fetare në Bashkinë Durrës.

Le të bashkojmë forcat për një Durrës më të gjallëruar, kreativ dhe të fuqishëm, duke respektuar traditën dhe përqafuar inovacionin!

Aneksi 1, aneksi 2, aneksi 3, aneksi 4, aneksi 5.